Një 42-vjeçar me iniciale R.K. është arrestuar nga policia pasi akuzohet si autor i vendosjes së eksplozivit në derën e një banese në Orikum, ngjarje e ndodhur më 12 Prill të këtij viti. Ndaj 42-vjeçarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
“Vijon puna nga strukturat e DVP Vlorë, për goditjen e paligjshmërisë. Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore ngjarja e ndodhur në datën 12.04.2021, në Orikum. Vihet në pranga autori i dyshuar. Ndalohen dhe 2 shtetas të shpallur në kërkim për vjedhje.
Pas një pune hetimore të pandërprerë, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 12.04.2021, në lagjen “Xhenio”, Orikum, ku ka ndodhur një shpërthim eksplozivi në banesën e shtetasit A. TH. dhe si pasojë është dëmtuar vetëm dera e banesës.
Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë policore, veprimeve hetimore procedurale, si dhe provave të siguruara në lidhje me këtë ngjarje, nga ana e specialistëve për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit: R. K., 42 vjeç, banues në Orikum, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, njofton policia./mv.abcnews.al