Tre qytete të tjera në ishullin spanjoll të La Palma janë evakuuar të premten pas shpërthimit të vullkanit i cili deri më tani ka shkatërruar të paktën 400 ndërtesa. Autoritetet në ishull urdhëruan evakuimin e qyteteve si Tajuya, Tacande de Abajo dhe një pjesë të Tacande de Arriba.
Shërbimet e urgjencës fillimisht u thanë banorëve që të qëndronin brenda për të shmangur renë e dendur të hirit dhe fragmenteve të lavës që barten në ajër. Por më pas urdhëruan evakuimin për shkak të rrezikut të shtuar nga shpërthimet.
Që kur shpërtheu të dielën, vullkani Cumbre Vieja ka nxjerrë jashtë mijëra tonë lavë, ka shkatërruar qindra shtëpi dhe ka detyruar evakuimin e mijëra njerëzve. Deri më tani nuk ka pasur të lënduar mes qytetarëve , por rreth 15 për qind e plantacioneve me banane që janë jetësore për ekonominë e ishullit mund të jenë në rrezik. /abcnews.al/