Shpërthimi i Nicës: Pazare pa fund, injoranca më e fortë se profesionisti

schedule09:35 - 11 Shkurt, 2020

schedule 09:35 - 11 Shkurt, 2020

Stavri Nica është një ndër të paktët aktorë të futbollit shqiptar që flet atë që mendon. Aventura e fundit e trajnerit të njohur ishte tepër zhgënjyese. Durrsaku qëndroi vetëm katër ndeshje tek Erzeni dhe më pas u largua.

Në një prononcim për Panorama Sport, Nica, i cili ka përkrah vetes tifozët e Erzenit, flet hapur tregon problemet e mëdha në klubin shijakas, ka një përgjigje në lidhje me ironitë e disa lojtarëve të ekipit kundrejt tij dhe e mbyll me akuza të forta.

SITUATA – “Ideja ishte që të krijonim një skuadër të fortë në janar. Kryetari i bashkisë kishte dhënë fjalën, por unë në fakt nuk e kam takuar asnjëherë. Kisha folur me drejtuesit që ai ka vendosur në ekip dhe ata u treguan të pabesueshëm, sepse nuk lëvizën në janar me pretekstin se nuk kishin lekë. Ka qenë një marrëdhënie e ftohtë me drejtuesit dhe nuk u ndërtua Erzeni, ashtu siç kisha unë dëshirë. Dihen problemet pastaj, kur familjarizohet një skuadër”.

LEXO EDHE: E turpshme, mesfushori i Erzenit tall Stavri Nicën në rrjetet sociale

IRONIA – “Ata nxjerrin atë që kanë përbrenda në psikologji, por edhe në shpirt. Ata që nuk janë për atë punë, mundohen të rezistojnë me atë forcën e injorancës së vet, të paaftësisë së vet. Çuditërisht, gjithmonë këta fitojnë. Sado që mundohen profesionistët, ne jemi të pafuqishëm në ndershmërinë tonë, në punën tonë përpara këtij sistemi që kanë krijuar këta. Injoranca është më e fortë se profesionisti dhe intelektualët. Por mbështeten edhe nga ata që mbahen për drejtues, ç’është më e keqja”.

ROLI – “Jo vetëm në Shijak, por kudo në vendin tonë në përgjithësi po marrin nëpër këmbë punën e trajnerit. Kanë nxjerrë nga loja trajnerët, po fitojnë këta. Në fakt, është dëm për futbollin, sepse ne nuk kanë çfarë na bëjnë. Vetë e pranuan kur shkova, lojtarët më thanë se kishin vite pa u stërvitur, jo ditë. Ata thoshin se kishin vite që stërviteshin keq, me stërvitje të lehta dhe qesharake. Nuk dua të injoroj ish-trajnerët, por grupi që është krijuar atje kishte këto pretendime. Çdo trajner që shkon, nuk duhet ta mbajë në ato nivele, ta stërvitë ekipin pak”.

AKUZAT – “Ata janë mësuar të bëjnë edhe lojëra me ndeshjet e kampionatit. Nuk e kam fshehur asnjëherë dhe nuk e fsheh se bëhen edhe pazare. Duan të kapin vendin e 4-t që të hyjnë te grupi lart dhe të bëjnë pazare. Kjo është strategjia e tyre, por kjo nuk shkon tek unë. Dua të ndërtoj një skuadër siç kam ndërtuar kudo ku kam shkuar, me mundësitë që kam pasur dhe aq sa më ka ecur. I kam dhënë provat, por aty është e pamundur, sepse drejtuesit janë familjarizuar me ekipin. Si mund të zgjidhet kjo situatë? Vështirë më duket”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!