KOSOVË- Eksperti për çështjet e sigurisë, Drizan Shala, në lidhje live me “Ballkan Update” komentoi shpërthimin e kanalit Ibër Lepenc në Zubin Potok.
Ai theksoi se personat, të cilët e kanë realizuar këtë plan janë me përgatitje ushtarake dhe kanë njohuri në këtë fushë.
Eksperti pohoi se Serbia është organizatore e këtij sulmi, pavarësisht se e ka mohuar një gjë të tillë. Sipas tij, policia ka gjetur arsenal armësh dhe uniforma ushtarake dhe kjo e rrit më shumë bindjen se prapa kësaj ekziston një plan serb, që burimin e nxitjes e ka në Rusi.
“Serbia nuk e pranon përgjegjësinë. Ajo është organizatore e sulmit në Ibër Lepenc. Janë të njëjtët, që kanë qenë në sulmin e Banjskës. Policia gjeti një mori armatimi të karakterit ushtarak dhe kjo e forcon lidhjen, që prapa së cilës ekziston një plan serb, që gjenezën e gjen në Rusi”, tha ai.
Sipas tij, Serbia përmes këtyre veprimeve ka për qëllim të mbajë të tensionuar situatën në brendësi të Kosovës
“Shteti i Serbisë është i infiltruar brenda territorit nëpërmjet grupeve paramilitare, përmes spiunazhit duke tentuar me çdo kusht, që ta mbajë Kosovën në tensionuar”, u shpreh ai.