Të paktën 23 civilë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi raketa goditi një treg bagëtish në provincën jugore të Helmand të Afganistanit, thanë qeveria afgane dhe zyrtarët taleban.
Palët ndërluftuese fajësuan njëri-tjetrin për sulmin e së hënës në tregun e përjavshëm të gjedhëve në rrethin Sangin, ku qindra fshatarë nga rrethet fqinje ishin mbledhur për të tregtuar dele dhe dhi.
Një zëdhënës i guvernatorit të Helmand tha se disa raketa nga luftëtarët talebanë goditën tregun e bagëtive, duke vrarë 23 civilë, përfshirë fëmijë.
TOLOnews, duke cituar një deklaratë nga zyra e guvernatorit të krahinës, tha se ngjarja e rëndë ndodhi në zonën Zol Bazar dhe u pasua nga një shpërthim me bombë në makinë.
Zyrtarët talebanë fajësuan zyrtarët e qeverisë për vrasjen e civilëve.
Të Dielën, një bombë buzë rrugës në rrethin Washer të së njëjtës provincë la gjashtë civilë të vdekur.
Misioni i Ndihmës i KB në Afganistan tha që Talebanët ishin përgjegjës për 208 viktima civile në prill dhe forcat qeveritare për 172.
KB ka bërë thirrje për ndalimin e luftimeve dhe fillimin e bisedimeve paqësore brenda Afganistanit, si pjesë e një marrëveshje të nënshkruar midis Shteteve të Bashkuara dhe Talebanëve në shkurt. /abcnews.al