“Shpërtheva në lot”, Gurishta: Kupa për nënën time, sa keq që s’më pa kampion

schedule22:24 - 31 Maj, 2021

schedule 22:24 - 31 Maj, 2021

Erdenis Gurishta nuk i mbajti lotët në minutat shtesë të finales ndaj Skënderbeut, diçka që e zbulon në prononcimin e dhënë për Supersport. Momente kur i kanë kaluar përpara syve të gjithë vuajtjet e viteve të fundit, nga rënia e Vllaznisë në Kategorinë e Parë e deri te humbja e njeriut më të shtrenjtë.

Kapiteni i Vllaznisë është shumë i emocionuar për suksesin e mbrëmjes së sotme. Vllaznia fitoi 1-0 ndaj Skënderbeut falë golit të Da Silva dhe Kupa e Shqipërisë u nis drejt qytetit më të madh verior për herë të shtatë në histori, sukses që mbrojtësi ia dedikon nënës së tij, e cila e mbështeti sonte nga lart.

EMOCIONET – “Nuk kam fjalë ta përshkruaj këtë moment. Jam shumë i emocionuar sinqerisht. Kur arbitri dha katër minuta shtesë, në ato momente fillova të lotoja. Kam vuajtur shumë tek ekipi i zemrës, ramë në Kategorinë e Parë, por nuk jam larguar asnjëherë. E kam ndjerë shpirtërisht, e kam ditur që këto ditë do të vinin. Shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi, më janë realizuar shumë ëndrra, si të jem kapiten i Vllaznisë dhe të fitoj trofe me Vllazninë”.

TRIUMFI – “Unë kam besuar që pas gjashtë javëve të para të kampionatit, kam kuptuar forcën e vërtetë të ekipit. Patëm një moment të keq psikologjik, por unë në mendjen time besoj që e kemi merituar kampionatin, pasi kemi qenë ekipi më i bukur”.

DEDIKIMI – “Trofeu shkon për tifozët e vërtetë të Shkodrës. Në veçanti, kjo Kupë shkon për nënën time, që ndërroi jetë para dy vitesh dhe nuk e pa djalin e vetë me trofe me fanellën e Vllaznisë”.

TITULLI – “Kisha pak shanse javën e fundit që ne do ta merrnim kampionatin. Nuk dua të hap polemika, që të them që ajo nuk ka qenë ndeshje e vërtetë. Pak shanse kishim që javën e fundit të fitonim kampionatin. Luajtëm për tifozët. I uroj Teutës suksese, në gusht dhe do t’ia marrim Superkupën. Europa? Besoj se do ta kalojmë turnin e parë”.

E ARDHMJA – “Nuk duhet të vetëkënaqemi, ky është vetë fillimi. Nuk është diçka shumë anormale që Vllaznia të fitojë një Kupë Shqipërie. Vllaznia dhe qytetii meritojnë shumë më shumë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!