Shpërthen vullkani Kilauea, frikë në ishujt Hauai

schedule21:10 - 17 Maj, 2018

schedule 21:10 - 17 Maj, 2018

Vullkani Kilauea në Hauai ka shpërthyer të enjten, duke bërë që një re gjigante tymi dhe hiri të ngrihet në ajër, deri në 9 kilometra lartësi. Shpërthimi ndodhi në orën 5 të mëngjesit me orën lokale, rreth orës 17 me tonën pas një seri lëkundjesh sizmike, më e forta prej të cilave 4.4 ballë. Stafi mbikëqyrës dhe vizitorë të parkut kombëtar të vullkanit ishin evakuuar më herët. Ndërkohë, autoritetet e aviacionit amerikan kanë dhënë për pilotët alarmin e kuq, që u rekomandon atyre të shmangin retë e hirit. Mali Kilauea nisi të lëshonte llavë rreth dy javë më parë, me lëndën përvëluese që avancoi duke dëmtuar shumë shtëpi dhe detyruar shumë banorë të largohen. Ditët e fundit Instituti Gjeologjik Amerikan kishte paralajmëruar rrezikun e një shpërthimi të fuqishëm për shkak se llava kishte humbur intensitet dhe magma po takohej me ujin nëntokësor. Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet. Kilauea është një nga 5 vullkanët aktivë të Hauait. /abcnews.al