Shpërthen Papu Gomez: Presidenti s’kishte këllqe, sulmi fizik i Gasperinit nuk tolerohej!

schedule10:58 - 18 Gusht, 2021

schedule 10:58 - 18 Gusht, 2021

Papu Gomez vendos të flasë dhe i thotë të gjitha për largimin nga Atalanta. Fantazisti zbulon çfarë ndodhi me trajnerin Gasperini, ndërkohë që nën akuzë përfundon edhe presidenti i klubit italian. Në intervistën për “La Nacion” Gomez tregon se e penguan të lëvizë në një klub tjetër italian.

Ai priste vetëm një kërkesë falje dhe ishte i gatshëm të harronte gjithçka. Kjo nuk ndodhi dhe më pas u transferua te Sevilla në LaLiga. “Kam bërë diçka gabim, nuk iu binda ndryshimeve taktike në ndeshjen e Champions League kundër Midtjylland. Kishim mbetur edhe 10 minuta në pjesën e parë dhe trajneri më kërkoi të lëvizja në të djathtë, por isha mirë në të majtë.

 

I thashë jo.  Ishte situata perfekte që trajneri të nervozohej me mua, pasi e bëra në fushë diçka të tillë dhe para kamerave. E kuptova që do të zëvendësohesha në pjesën e parë dhe ashtu ndodhi. Në dhomën e zhveshjes ai e kaloi kufirin dhe u përpoq të më sulmonte fizikisht.

Aty thashë mjaft, sulmi fizik është i patelorueshëm. I kërkova takim presidentit Percassi dhe i thashë se nuk do ta kisha problem të ecnim përpara. E kuptova që gabova, si kapiten nuk isha sjellë mirë dhe kisha qenë një shembull i keq duke mos iu bindur trajnerit. Gjithashtu i thashë se doja një falje nga Gaseprini.

Të nesërmen pati një takim me gjithë ekipin. I kërkova falje trajnerit dhe shokëve të skuadrës për incidentin, por nuk mora asnjë kërkesë faljeje. Si duhet ta kuptoja gjithë këtë? Isha gabim dhe ai bëri diçka të drejtë? Gjithçka nisi nga aty. Pas disa ditësh i thashë presidenti që nuk punoj më me Gasperinin tek Atalanta.

 

Më tha se nuk do të më linte të ikja dhe u lashë jashtë skuadrës. Nuk ishte diçka e mirë, pasi kisha dhënë shumë për klubin. Ata u sollën keq. Presidenti nuk kishte këllqe t’i kërkonte trajnerit të më kërkonte falje. Kështu që gjithçka përfundoi.

Nuk ishte e gjitha ajo. Ata më mbyllën dyert e futbollit italian. Nuk donin të më linin në ndonjë klub të madh, pasi thonin se do të forcoja një rival. Falë Zotit Sevilla bëri një ofertë dhe më lejoi të luaj në një nivel të lartë dhe të jem në gjendje të merrja pjesë në Kupën e Amerikës. Ai ishte fiksimi”, rrëfen Papu Gomez. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!