Shpërthejnë sërish protestat në Hong Kong: Përleshje në qendrat tregtare

schedule07:16 - 16 Dhjetor, 2019

schedule 07:16 - 16 Dhjetor, 2019

Policia e Hong Kong-ut ka përdorur spraj për t’i shpërndarë protestuesit dhe ka arrestuar disa prej tyre të dielën pasi disa grupe të vogla shenjestruan disa qendra tregtare.

Protestat e dhunshme dhe vandalizmi shpërthyen në disa zona. Policia u kundërpërgjigj me spraj në të paktën dy qendra tregtare.

Një vajzë dhe një djalë 16-vjeçar u arrestuan në qendrën tregtare “Sha Tin”. Disa protestues të maskuar dëmtuan edhe disa restorante të një rrjeti për shkak se vajza e pronarit të tyre i kishte kritikuar më parë protestuesit.

Ndërkohë,  partitë që i përkrahin protestuesit e shënuan një fitore të rëndësishme në zgjedhjet për këshillin lokal muajin e kaluar. Të dielën e kaluar, rreth 800 mijë njerëz marshuan nëpër rrugët e qytetit në mënyrë paqësore.

Protestat në Hong Kong kanë filluar gjashtë muaj më parë për shkak të një projektligji kundërthënës për ekstradimin e qytetarëve në Kinë. Fuqitë perëndimore kanë kërkuar që Kina ta respektojë autonominë e Hong Kong-ut, ndërsa Kina i ka akuzuar ato për ndërhyrje në çështjet e brendshme të këtij vendi./abcnews.al