Ardian Mema u largua nga Tirana, ndërkohë që reagimet e tifozëve bardheblu kanë qenë nga më të ndryshmet. Në faqen zyrtare të klubit kishte shumë mendime, pro dhe kundër. Së fundmi një qëndrim e kanë mbajtur edhe Tirona Fanatics. Si zakonisht ata dalin kundër presidentit Refik Halili, ndërkohë që në shënjestër janë futbollistët, kryesisht ata që ishin pjesë e ekipit edhe kur skuadra kryqytetase ra në Kategorinë e Parë.
REAGIMI I FANATICS – “Ish-presidenti, që për hir të vërtetës, hap pas hapi tejkalon veten me bëmat e tij dhe nivelin e ulët të inteligjencës, sot, ka vendosur të largoje nga detyra trajnerin e skuadrës, për rezultate të dobëta në javët e fundit…
Duhet me të vërtetë nivel i ulët inteligjence që për të shpëtuar Tironën të sakrifikosh trajnerin, a thua se trajneri ka ndonjë rol kyç aty! (Drejtimin e stërvitjes dhe deri diku zgjedhjen e formacionit 30-40%)
Për shkak se ish-presidenti na ka vërtetuar dhe vazhdon të na vërtetojë që me të vërtetë është rast i pashpresë, ne, i themi shpurës së tij, t’i komunikojë që problemi nuk është as i tifozëve e as i trajnerit, por i pseudo-lojtarëve që për vite kanë helmuar dhe kontribuar vetëm e vetëm në përkeqësimin e situatës, me krijimin e klaneve apo me paaftësinë në fushë!
Komunikoni me ish-presidentin e pashpresë se: Çdo trajner, pavarësisht aftësive të tij, do e ketë të pamundur të arrijë diçka për sa kohë tek Tirona qelben në njollën e paaftësisë nga ish-presidenti e deri tek pseudo-lojtarët… Klanet tashme të konfirmuara brenda klubit dhe ekipit, janë sëmundja e vazhdueshme e Tironës…
*PER SA KOHË NË PËRBËRJEN KRYESORE TË EKIPIT KA AKOMA LOJTARË TË CILËT ISHIN VENDIMTARË NË SEZONIN QË ZBRITËM NGA KATEGORIA, NUK DO TË KETË TRAJNER QË DO T’UA JUSTIFIKOJE PAAFTËSINË! IKNI NGA TIRONA!”. /abcnews.al