“Shpërthejmë uzinën”, si tifozët e Laçit rikthyen goleadorin kampion

schedule18:39 - 14 Maj, 2020

schedule 18:39 - 14 Maj, 2020

Edmond Dosti, ish-sulmuesi kampion me Partizanin, ka veshur edhe fanellën e Laçit dhe Kastriotit. Ai është shumë i lidhur me të kuqtë, pasi fitoi titullin kampion dhe doli golashënues i kampionatit në vitin 1993. Dosti ka edhe një të veçantë: ka luajtur me tre ekipe brenda një sezoni.

Një ditë më parë, në emisionin “Fan Zone” në Supersport, ka zbuluar se si ndodhi diçka e tillë. Tifozët e Laçit, arritën deri aty sa kërcënuan se do hidhnin në erë Uzinën e Superfosfatit, nëse nuk ua kthenin autorin e 36 golave në një sezon, pikërisht Edmond Dostin.

“Ishte diçka që ndodhi kur po ndërrohej sistemi. Isha te Laçi dhe më pas shkova te Kastrioti. Mbaj mend që në Laç i thanë Kalemit (Petraq Kalemi ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit Krujë): ‘Ose na ktheni Dostin këtu, ose do të hedhim në erë uzinën e superfosfatit’.

Pastaj erdhi kryetari i qarkut, Kalemi, në Gjirokastër dhe më ka dërguar në Laç. Luajta 4 ndeshje dhe shënova 9 gola. Pastaj u thashë se dua të iki te Partizani dhe nuk më penguan, duke më thënë se te Partizani mund të ikja, pasi ishte shtëpia ime”, tregon Dosti. /abcnews.al

 

Edmond Dosti në rreth, kur ishte pjesë e Laçit

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!