Një 43-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi shpërndante doza kokainë në lagje të ndryshme të qytetit. Policia sekuestroi 250 gramë kokainë, doza me lëndë narkotike kokainë, 3 aparate celularë dhe automjeti që përdorte 43-vjeçari për të shpërndarë lëndën narkotike.
“Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonte ky shtetas, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, e ndarë në doza gati për shitje.
Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një sasi tjetër lënde narkotike të dyshuar kokainë, e futur në disa qese, si dhe një peshore elektronike, me peshë totale 250 gramë, që shërbente për peshimin e lëndës narkotike në doza”, njoftoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./abcnews.al

