Policia e kryeqyteti ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Në pranga 35-vjeçari që shpërndante lëndën narkotike, si edhe janë sekuestruar 25 doza heroinë, 2 aparate celular dhe një biçikletë.
Njoftimi i Policisë
Seksioni për hetimin e narkotikëve në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fundjava”, arrestoi në flagrancë shtetasin:
- H., 35 vjeç, banues në Tiranë , me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.
Shtetasi i mësipërm ishte në vëshgim nga shërbimet e policisë, pasi për të disponohej informacion se merrej me shpërndarje të lëndës narkotike të llojit heroinë në formë dozash në zonën e “Selitës”, “Kombinatit”, “Astirit” dhe “Yzberishtit”.
Ky shtetas është konstatuar duke qarkulluar me biçikletë në rrethrotullimin e bulevardit të “Kasharit” dhe është ndaluar për kontroll nga shërbimet e policisë.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar i janë gjetur 5 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.
Në vijim shërbimet e policisë kanë ushtruar kontroll dhe në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe 20 doza të tjera me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 25 doza heroinë, 2 aparate celular dhe një biçikletë.
Materialet proceduriale i kaluan për veprime të mëtejshme prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit M. H., për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike”, parashikuar nga neni 283 i kodit penal. /abcnews.al