Nga Elidon Berberi dhe Leontina Nika
Eskavatorët nuk ndalen në qytetin e gurtë të Gjirokastrës edhe pas alarmit të UNESCO-s dhënë një ditë më parë. Aktualisht, punimet po kryhen poshtë kalasë historike, monument kulture. Komiteti i “UNESCO”-s për Trashëgiminë Botërore përmes një rezolute, kërkoi ndërprerjen urgjente të punimeve në Bypass-in e Gjirokastrës. Ku vihet në dukje se një informacion i dërguar nga një palë e tretë, jo nga qeveria shqiptare “skicon një situatë shumë shqetësuese të projektit”.
Në janar të 2021-shit, qeveria paraqiti një kërkesë për rishikimin e një propozimi të rihartuar për projektin e Bypass-it. “UNESCO” kërkoi informacion shtesë, por qeveria shqiptare nuk arriti t’i përgjigjej. “ABC” u interesua pranë ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve, por deri tani nuk ka asnjë përgjigje prej këtyre institucioneve.
Së shpejti pritet që të vijë edhe një mision monitorimi për të vlerësuar nëse ndërhyrjet kanë dëmtuar “vlerat e trashëgimisë kulturore”. Ky vendim është botuar në projekt-rezolutë para Sesionit të 44-të të takimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që zhvillohet midis 16 dhe 31 korrik në Kinë. Projekti i by-pass-it në qytetin e Gjirokastrës i cili prej 15 vitesh gëzon statusin e Trashëgimisë Botërore ka pësuar rishikimi teknike herë pas here nga qeveria shqiptare që në 2016- en pas rekomandimeve dhe kundërshtive të ekspertëve botërorë.
Projekti për Bypass-in e Gjirokastrës u bë publik nga qeveria shqiptare në 2016-tën, synimi i të cilit ishte devijimi i qarkullimit të automjeteve nga zona muzeale dhe kryesisht nga qendra e Qafës së Pazarit, si destinacioni kryesor turistik i turistëve që mbërrijnë në qytetin e gurtë. Projekti shkaktoi reagime të ashpra nga specialistët dhe UNESCO, me argumentimin e cenimit të vlerave natyrore dhe kulturore të qytetit, ndërsa vendi ku do të kalonte bypass-i u konsiderua si i papërshtatshëm prej specialistëve për shkak të paqëndrueshmërisë së tokës./ Abcnews.al