Një ditë pasi njoftoi shpërbërjen e strukturave të saj, kryeministri i Spanjës ka paralajmëruar ish-lëvizjen separatiste baske ETA se nuk do t’i shpëtojë gjykimit të drejtësisë për krimet e kryera.
Kryeministri spanjoll Mariano Rahoj ka deklaruar të enjten se anëtarët e ETA-s nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë, pavarësisht njoftimit të organizatës për shpërbërjen e strukturave të saj. “Nuk ka rëndësi se çfarë bën ETA. Ndëshkimit për krimet e kryera nuk do t’i shpëtojë askush”, ka deklaruar Rahoj në një fjalim të mbajtur në veri të Spanjës. Ai ka theksuar se, pavarësisht se strukturat e ETA-s mund të zhduken, krimet e saj nuk mund të zhbëhen e po ashtu edhe përpjekjet e qeverisë për të ndëshkuar përgjegjësit. ETA ka vrarë mbi 800 persona në luftën e saj 50-vjeçare për pavarësinë e rajonit bask, në veri të Spanjës dhe në jug të Francës. Thuajse gjysma e këtyre krimeve nuk është zbardhur ende. Gjysma e personave që kanë humbur jetën në atentatet e organizatës kanë qenë kryesisht anëtarë të forcave të sigurisë, por edhe politikanë e biznesmenë. Në vitin 2011 grupi separatist njoftoi armëpushimin, ndërsa një ditë më parë shpërbërjen tërësore të tij, që do të konkretizohet me një ceremoni më vonë gjatë muajit. /abcnews.al