Ekspertët e mjedisit, Kristi Bashmili dhe Xhemal Xherri ishin të ftuar sot në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ku folën për rrezikun e shtuar të zogjve në vend. Kristi u shpreh se shqiponjat e malit dhe shkabat kanë patur një humbje të konsiderueshme në numër, dhe se nga 4 shkaba folezuese ka mbetur vetëm një.
Nga ana tjetër, Xherri u shpreh se Shoqata e Ruajtjes dhe mbrojtjes së Mjedisit Natyror ka ndërmarrë disa aktivitete të ndryshme që lidhen me stacionet me ushqim plotësues, të cilat aktivizohen në fillim të sezonit deri në shtegtimin e këtyre specieve si kali i qyqes.
“Më tepër sesa shpyllëzimi do të thoja fragmentarizimi i habitatit, pasi bën të mundur ndërprerjen e rrugëve të shtegtimit të shpendëve. Por duke parë një habitat të fragmentarizuar dhe ndërtesa urbane shumë të larta në zonat përmes parqeve kombëtare ose rrugëve të shtegtimit është një problem serioz. Lidhur me kalin e qyqes problem serioz është çështja e helmimit dhe pastaj vjen elektroshoku.
Helmimi në vendin tonë nuk është shumë i theksuar sa në vendet e Ballkanit por ndodh si fenomen. Elektrizimi është gjithashtu një problem tjetër ndodh që shpendët tek shtyllat elektrike, bashkojnë të dy krahët elektrizohen dhe për ta eliminuar këtë vendosim disa izolatorë.“, u shpreh Xherri. /abcnews.al