Shpallja “non grata” e Berishës, Murrizi: SHBA të deklasifikojë dosjen

schedule22:25 - 13 Shtator, 2021

schedule 22:25 - 13 Shtator, 2021

Sali Berisha apo Lulzim Basha, kush i duhet Partisë Demokratike? Është kjo tepa që po diskutohet mbrëmjen e së hënës në “Log.” me Endri Xhafon.

I pyetur nëse vendimi i kreut të demokratëve për të përjashtuar liderin historik të partisë nga Grupi Parlamentar ishte i duhuri, ish-deputeti Keltis Kruja tha se për t’u marrë ky vendim ka lëvizur diçka mbi politikën shqiptare.

Kruja shpjegoi se nuk mund të thotë nëse vendimi ishte i duhuri apo jo, por theksoi se mënyra sesi u mor vendimi nuk ishte aspak e duhura.

“Vendim i duhur apo jo, ka një lloj analize mbi të cilin kalon. Ka disa faktorë që ndikojnë. Pse erdhi vendimi tani? Pse nuk u komunikua më shpejt, qoftë edhe privatisht me Berishën?  Nuk e di nëse është vendimi është  i duhur apo jo. Mënyra sesi u mor vendimi nuk është aspak e duhur. Vendimi bëhet pis.”

Kurse, ish-deputeti Myslim Murrizi theksoi se Lulzim Basha nuk ka asnjë tagër për të përjashtuar Berishën nga Grupi Parlamentar i PD. Sipas tij, veprimi i duhur që duhej të kishte bërë lideri i demokratëve ishte të çonte një referendum tek anëtarësia e partisë.

Ndërsa, ish-kandidatja për kryetare të PD, Edith Harxhi, e pyetur sesi do të vepronte ajo nëse do të ishte në vendin e Bashës tha se do të kishte dhënë dorëhqejen me 26 prill pas humbjes së zgjedhjeve.

“Nuk kam parë asnjë dokument që të përligjë vendimin e Bashës. Ky nuk është vendim. Çfarë duhet të bënte? Të kishte dhënë dorëheqjen, kur humbi zgjedhjet. Unë do të kisha dhënë dorëheqjen nga data 26 prill. Nëse ai do të ishte dorëhequr, nuk do të ishte kaosi. Mund të mos kishim një vendim të këtij lloji për Berishën….”

Nga ana tjetër, duke sjellë në vëmendje deklasifikimin e një pjese të dosjes së 11 Shtatorit në SHBA, ish-deputeti Myslim Murrizi kërkoi që SHBA të bëjë publikë periudhën për të cilën DASH e akuzon ish-kryeministrin për korrupsion.

Sipas tij, nëse bëhet fjalë për periudhën 2005-2013, atëherë Basha është “po aq i pisët sa Berisha” dhe kjo shpjegon pse ka “rënë pre e presionit”.

“Vendimin do ta çoja për referendum te anëtarësia….po nuk je hajdut duhet të kesh dinjitet kur ulesh me këta. Po këta janë hajdutë. Janë të pistë, dhe shkojnë një nga një aty e mbajnë radhë…Luli e Kim të bëjnë publike për cilën periudhë të Berishës bëhet fjalë që ka mëkate. Nëse bëhet fjalë për vitet 2005-2013, Basha është po kaq i pisët sa Berisha. Berisha nuk është më shumë hajdut, të gjithë kanë qenë bashkë. Si pika uji, nuk i ndaj dot. Çfarë konspiracioni ka nëse tregohet dosja e Berishës?”

Zonja Harxhi nuk i kurseu kritikat për Bashën, as për detajet që kreu i demokratëve ka dhënë për bisedën me ambasadorin Philip Reeker. Sipas saj, Basha i cili ka qenë edhe Ministër i Jashtëm, duhet ta dijë që bisedat që bëhen në takimet private apo zyrtare me aleatët mbeten në tryezën ku janë bërë.

“Jo vetëm takime private, zyrtare, nuk mund të bëhen publike, nuk përdoret termi për presionin e madh që i është bërë. Kur thua presion, i vë në pozite të veshtirë aleatët, vë në pozitë marrëdhëniet. Ka qenë edhe ministër i Jashtëm. Çfarë bisedohet aty, mbetet aty. Reeker është një nga njohësit më të mirë të Ballkanit, një nga miqtë më të mirë të Shqipërisë. Një nga njerëzit që ka pasur marrëdheniet me të ngrohta me Berishën.. Ky nuk është vendim politik i Bashës, është personal. Ai përfaqëson një institucion e nuk mund të marrë vendim afrofe.”

Siç u shpreh zonja Harxhi, një person që mendon të bëhet kryeministër dhe merr vendime për arasye presioni, nuk mund të jetë as kryetar partie. /abcnews.al/