Segmenti rrugor Lekaj-Konjat –Fier do të kushtojë 320 milion euro.
Në buletinin e prokurimeve publike ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur fituesin e koncesionit për ndërtimin e këtij segmenti rrugor i cili është pjesë e aksit rrugor Milot – Fier.
Bashkimi i Përkohshëm i 8 shoqërive ka fituar të drejtën për projektimin, ndërtimin, operimin dhe më pas transferimin e segmentit rrugor Lekaj-Konjat-Fier.
Konçensioni i cili parashikon ndërtimin e një segmenti prej 46 km është dhënë për një periudhë 35 vjeçare.
Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik bashkimi i 8 kompanive ishte i vetmi që mori pjesë në procedurën e prokurimit
Sipas propozimeve të qeverisë kalimi në këtë segment rrugor do të realizohet kundrejt një pagese prej 2 eurosh për automjetet e vogla edhe pse nuk është qartësuar se sa do të jetë kërkesa e konçesionarit.
Në marrëveshje parashikohet edhe fakti që në rast të trafikut të munguar do të jetë buxheti I shtetit ai që do të kompensojë të ardhurat e parashikuara të kompanisë.
Gjurma e kësaj rruge fillon pranë zonës së Luzit të vogël në Kavajë me mbarimin e aksit Kashar – Lekaj dhe përfundon në fillimin e Bypassit të Fierit pranë zonës së Mbrostarit./Abcnews.al/

