Shoshi: Fëmijët, “uni” i pikturës time, shpëtim nga hija e babait

schedule16:30 - 24 Korrik, 2021

schedule 16:30 - 24 Korrik, 2021

Nga Leontina Nikaj

Albana Shoshi, na mirëpret në folezën krijuese, të cilën e ndanë me të atin piktorin e njohur  dhe “Artistin e  merituar”  Zef Shoshi.  Ajo lë penelat mënjanë, ku është duke i dhënë dorën e fundit një pikture të fëmijërisë së saj, koncidencë është pikërisht me të atin.

Me sy të lirë, e të shpejt, vihen re ndryshimet mes tyre ne penelta e ngjyra. Por si emërues të përbashkët kanë figurën njerëzore, por e parë  krejt ndryshe. Artistja që tashmë ka krijuar portretin e saj, sidomos me ciklin e fëmijëve, pranon vështirësitë në fillim dhe bezdinë e krahasimit me të atin.

Dallimi i dy frymëve të ndryshme në pikturë dhe përplasja mes brezave ekziston e këtë e pohon natyrshëm piktorja. Prej 20 vitesh Albana Shoshi sjell në telajo fëmijët, nisur nga një fotografi e fëmijëve te saj, kurrsesi  e zënë peng i kujtimeve, por i çasteve të çlirëta që i ngacmuan shpirtin e mendjen , që më pas e përktheu në një cikël të tërë pikturash.

Nostalgjia e riktheu në çastet e fëmijërisë, që tashmë i ka realizuar në një seri pikturash. Megjithëse, tashmë ka nisur një cikël të ri që ka të bëj me ironinë e festave,  herë pas herë kthehet edhe te uni i saj intim, që janë fëmijët. Dëshira për t’i ekspozuar, pas interesit edhe të galerisë 70 ekziston, por jo nguti, pasi ajo gjithnjë është e matur në atë çfarë bënë në pikturë e gati e vetmjaftuar me të ndjerit mirë me veten./ Abcnews.al