Nations League nuk e ka mbyllur rrugëtimin e saj, pasi Italia, Belgjika, Franca dhe Spanja do të luftojnë për trofeun. Ditën e sotme, në Nyon të Zvicrës është hedhur shorti që ka përcaktuar edhe çiftet gjysmëfinaliste në këtë kompeticion.
Nisur edhe nga ekipet e kualifikuara, përballjet gjysmëfinale dhe finalja do të jenë përballje mjaft interesante dhe të forta. Pas hedhjes së shortit, çiftet që do të përballen janë: Itali-Spanjë dhe Belgjikë-Francë. Sfida latinësh dhe fqinjësh, të dyja për t’u parë e shijuar. Sezonin e parë të Nations League e fitoi Portugalia, pasi mposhti Holandën në finale.
Ndeshjet gjysmëfinale të Nations League do të zhvillohen më 6 (Itali-Spanjë) dhe 7 tetor (Belgjikë-Francë) të vitit 2021. Finalet për vendin e parë dhe të tretë do të zhvillohen më 10 tetor. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur që finalet e këtij kompeticioni të luhen në Juventus Stadium dhe “San Siro” të Milanos. /abcnews.al