Laçi-Kukësi e Skënderbeu-Flamurtari janë përballjet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Kuksianët e korçarët shihen favoritë, ndonëse është e vështirë të bëhet një parashikim.
Duelet do të jenë të fortë, dhe s’mund të ishin ndryshe.
Laçi-Kukësi e Skënderbeu-Flamurtari janë çiftet e dala nga shorti i gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë në futboll, short I hedhur në selinë e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Sekretari i përgjithshëm Shulku, dhe shefi i garave Nurishmi krijuan pikërisht këto sfida të cilat kanë tashmë histori në këtë konkurrim.
Laçi e Kukësi kanë diskutuar dy herë finalen e Kupës, pikërisht në 2015 e 2016.
Herën e parë triumfuan kurbinasit, ndërsa më pas ishte radha e kuksianëve t’ia dilnin, edhe pse vetëm pas gjuajtjes së penalltive.
Në letër favoritë janë kampionët nga Kukësi, të cilët edhe në Superligë janë të renditur pak më mirë, por Laçi nuk është nga ato skuadra që eleminohen lehtë.
Jo vetëm që ka pasur formë të mirë gjithë këta vite, por edhe besohet se ka marrëdhënie dashamirëse me gjyqtarët, duke mos u dëmtuar prej tyre.
Dueli tjetër ka edhe më shumë emocione, pasi i përket dy qyteteve më të mëdhenj, dhe që kanë rivalizuar për tituj.
Skënderbeu ka pasur epërsi ndaj Flamurtarit në bilanc dhe në arritje që prej 7 vjetësh, veçse në Vlorë ende deklarojnë se titulli i vitit 2011 iu mor në mënyrë të padrejtë.
Sidoqoftë, skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja shihet si kandidate numër 1, jo vetëm për të arritur finalen, por edhe për të fituar trofen.
Nëse ia del, do të ishte Kupa e parë e Shqipërisë në histori për Skënderbeun.
Ndeshjet gjysmëfinale luhen në 5 e 18 prill./abcnews.al