Shoqërimi i protestuesve, PDIU: Rama nuk i shpëton dot Çamërisë me “efkaristo” dhe “ejvallah”

schedule15:29 - 20 Tetor, 2020

schedule 15:29 - 20 Tetor, 2020

Partia Drejtësi Integrim Unitet ka reaguar pas shoqërimit të protestuesve gjatë ditës së sotme me vizitën e ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias.

PDIU shprehet se “dhuna, ndalimi i tubimit dhe shoqërimi në komisariat i 26 protestuesve të PDIU-së dhe Shoqatës “Çamëria” tregoi se qeveria ndjek agjendën greke dhe jo atë shqiptare.

Sipas PDIU, vizita e ministrit të jashtëm grek në Tiranë, nuk mund të heqë Çamërinë nga agjenda shqiptare.

“Ne nuk na ndal dot askush në betejën tonë që shteti shqiptar të sillet me Greqinë me dinjitet, reciprocitet dhe dije. Askush nuk mund të ndalë kërkesat tona të kahershme për zgjidhjen e çështjes çame, heqjen e ligjit të luftës, mosfaljen e asnjë cm2 tokë e det të shqiptarëve, mosbërjen e një censusi antishqiptar,” thuhet më tej në reagim.

PDIU, po ashtu, i ka bërë thirrje policisë politike të lirojë 26 protestuesit, të cilët, sipas tyre, sot tubuan për interesin kombëtar të Shqipërisë.

Reagimi

Dhuna e paprecedentë, ndalimi i tubimit dhe shoqërimi në komisariat i 26 protestuesve të PDIU-së dhe Shoqatës “Çamëria” tregoi edhe njëherë që Qeveria ndjek axhendën greke dhe jo atë shqiptare.

Vizita e ministrit të jashtëm grek në Tiranë, Nikos Dendias nuk mund të heqë Çamërinë nga axhenda shqiptare. Shqiptarët e Çamërisë kanë 76- vjet që protestojnë ndaj genocidit më të ashpër në ballkan, ku forcat Zerviste vranë dhe masakrauan një popullsi të tërë.

Absurdi i sjelljes së policisë politike për të ndaluar protestën e sotme, na kujton dhunën e ushtruar  të vitit 2004, kur burra pleq u gjakosën në dyert e parlamentit shqiptar, për rezolutën e çështjes çame.

Ne nuk na ndal dot askush në betejën tonë që shteti shqiptar të sillet me Greqinë me dinjitet, reciprocitet dhe dije.
Askush nuk mund të ndalë kërkesat tona të kahershme për zgjidhjen e çështjes çame, heqjen e ligjit të luftës, mosfaljen e asnjë cm2 tokë e det të shqiptarëve, mosbërjen e një censusi antishqiptar.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e nisi mandatin e tij si kalorës i Çamërisë dhe e përfundoi Kali i Trojës së Greqisë. Atë nuk e shpëtojnë nga Çamëria, as fjalët e tij në greqisht apo turqisht, as ylli komunist. Ai sot duhet të ishte shqiptar dhe vetëm si shqiptar mungoi.
Ne i bëjmë thirrje policisë politike të lirojë menjëhërë 26 protestuesit, të cilët sot tubuan për interesin kombëtar të Shqipërisë. s.b/abcnews.al/