Shoqëria civile i kërkon KE-së të tërheqë propozimin për pasaportat që lëshon Beogradi për serbët e Kosovës

schedule14:07 - 21 Nëntor, 2023

schedule 14:07 - 21 Nëntor, 2023

Mbi 20 organizata të shoqërisë civile në Kosovë i kanë bërë thirrje KE-së që të tërheqë propozimin që lejon udhëtim pa viza për personat që mbajnë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë. Letra i drejtohet Ylva Johansson, Komisionere Evropiane për Çështje të Brendshme.

Organizatat theksojnë se propozimi i KE-së vjen në një kohë ku ka shumëfishim të numrit të qytetarëve serbë që kërkojnë të pajisen me dokumente të Kosovës, përfshirë pasaportat dhe targa të makinave dhe, kjo sipas tyre, është një zhvillim tejet pozitiv dhe jashtëzakonisht premtues për kthim të normalitetit në veri të vendit.

Në letër shpjegohet se policia e Kosovës me organet tjera të sigurisë si KFOR-i dhe EULEX po ofrojnë siguri të plotë për të gjithë qytetarët, e në veçanti për ata të komunitetit serb në veri, si pjesë e luftës së përbashkët të këtyre institucioneve ndaj strukturave kriminale prezente në veriun e Kosovës, të cilat sipas tyre i kanë penguar këta qytetarë të integrohen në jetën shoqërore e politike në Kosovë.

Sipas këtyre organizatave, nëse miratohet ky propozim do ta lëndojë seriozisht qëllimin dhe zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Do të sfidojë seriozisht përparimet në integrimin e qytetarëve serb të Kosovës nëpërmjet pajisjes me dokumente të Kosovës, manifestuar ndër të tjera edhe nëpërmjet pajisjes masive me pasaporta të Kosovës gjatë javëve të fundit; do t’i nxisë dhe inkurajojë strukturat kriminale që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës që të vazhdojnë me kërcënime e kanosje të qytetarëve serb të Kosovës që synojnë të integrohen në jetën shoqërore dhe politike të vendit”, thuhet në letrën e shoqërisë civile./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!