Shoqatat e Gazetarëve: Sulmi ndaj gazetares këmbanë alarmi

schedule14:06 - 30 Gusht, 2018

schedule 14:06 - 30 Gusht, 2018

I menjëhershëm ka qenë reagimi i shoqatave të gazetarëve, të cilët kanë kërkuar me forcë nga policia zbardhjen e menjëhershme të krimit të rëndë dhe vënien e autorëve përpara drejtësisë.

Për këtë ngjarje ka reaguar dhe shoqatat e gazetarëve.

Shoqata e Mediave Elektronike Shqiptare, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë nëpërmjet një reagimi të bërë publik për median dënojnë me ashpërsinë më të madhe sulmin me armë ndaj gazetares investigative, Klodiana Lala.

Breshëria e plumbave e lëshuar mbi shtëpinë e saj është këmbanë alarmi që bie fort për rrezikun që u kanoset gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre të përditshme. Sipas këtij unioni, ky është një sulm i paprecedent kundër një gazetarje që ka guxuar të denoncojë raste korruptive e kriminale, si dhe kundër gjithë medias dhe fjalës së lirë.

Plumbat ndaj banesës së gazetares janë një tentativë për të frikësuar dhe për t’i mbyllur gojën gazetares Klodiana Lala dhe çdo gazetari tjetër në vend që guxon të hedhë dritë mbi ngjarje kriminale e afera të dyshimta, thuhet në këtë reagim.

Shoqatat e gazetarëve i kërkojnë Policisë së Shtetit të veprojë me të gjithë forcën e saj për të hedhur dritë sa më shpejt mbi këtë ngjarje, një prej më të rëndave në vitet e fundit dhe për të vënë para drejtësisë autorët.

“Angazhimi i policisë për të kapur autorët e këtij akti kriminal është edhe një provë që shteti është në anën e gazetarëve dhe jo të atyre që i sulmojnë ata”, përfundon deklarata e Shoqatës së Mediave Elektronike Shqiptare, Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!