Emro Çela nga Kopaçëza e Delvinës shkaktoi një aksident të trefishtë në Sarandë pasi pati probleme me automjetin. Makina e tij tip “KIA” nuk po ndizej sepse i kishte rënë bateria, e për këtë arsye ai tentoi që ta ndezë duke e zbritur nga një kodër.
Por, ndërsa i afrohej rrugës kryesore nuk ka mundur dot të frenojë dhe për pasojë është përplasur me tre mjete të tjera. Një prej të dëmtuarve nga ky aksident ishte edhe një turist slloven që në momentin që u godit nga makina pa frena ndodhej në automjetin e tij tip “Citroën” bashkë me partneren.
Për mikrofonin e ABC ai tregoi se makina po “fluturonte” nga kodra dhe e goditi automjetin e tij në një krah. Për fat të mirë, ai dhe partnerja e tij kanë marrë vetëm lëndime të lehta.
“Isha në makinë, gati të dilja. Ndalova këtu dhe makina pa frena po “fluturonte” për poshtë. Po ecte shumë shpejt. U përplas me makinën time dhe pastaj u përplas me makinat e tjera. Jam mirë, por nuk e di sa do më duhet të pres.”
Automjeti i turistit është dëmtuar rëndë në njërin krah ndërsa ai dhe partnerja e tij kanë hasur vështirësi në komunikimin me policinë për shkak të gjuhës. Aksidenti ndodhi në aksin e ngarkuar Turizëm – Çukë, në Sarandë. s.b/abcnews.al/