Shpejtësia është një nga rregullat që shkelet më shumë nga shoferët.
Makina inteligjente vijon të monitorojë qarkullimin rrugor, duke evidentuar dhe ndëshkuar shumë drejtues mjetesh që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara, të cilët krahas shpejtësisë, qarkullojnë edhe pa vendosur rripin e sigurimit apo duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit.
Gjatë 48 orëve të fundit janë evidentuar në shkelje, nga makina inteligjente, 894 shoferë, të cilëve do t’u shkojë masa administrative në banesë. Gjithashtu, sipas policisë në të gjithë vendin, gjatë kontrolleve janë ndëshkuar 2126 shoferë, për shkelje të ndryshme që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Janë pezulluar 256 leje drejtimi, nga të cilat 185 për shpejtësi mbi normat e lejuara, shumica e rasteve të konstatuara nga makina inteligjente, 51 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 20 për qarkullim në sens të kundërt.
“Nisur nga fakti se në fundjavë akset rrugore në drejtim të zonave turistike dhe bregdetare kanë fluks të shtuar, Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë për të monitoruar qarkullimin e automjeteve. Në të gjithë vendin vijojnë kontrollet intensive nga shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme, duke përdorur makinën inteligjente, radarë, dronë, mjete të pauniformuara, kamera, aparate fotografike dhe alkooltestues, për parandalimin e aksidenteve rrugore”, thotë policia.