Shndërroi moçalin në pyll/ Kurbin, 75-vjeçari mbjell qindra pemë frutore dhe dekorative

schedule20:09 - 9 Dhjetor, 2023

schedule 20:09 - 9 Dhjetor, 2023

Dikur ka qënë moçal, por Ilir Zgjuni e ka kthyer në një oaz qetësie. Ka mbjellë anë e mbanë pemë frutore e dekorative, ndërsa në hapësirën mes tyre mbarshtron kafshë të ndryshme.

Ky pyll, ndër pasuritë më të çmuara të tij, i ka marrë jo pak, por plot 30 vite. Ilir Zgjuni gëzon 75 vite jetë dhe me tokën është ende shumë i lidhur.

Çdo mëngjes zgjohet herët e për gjatë gjithë ditës u shërben pemëve e kafshëve. Mbi kokë u rri edhe atyre që e ndihmojnë, të cilët i këshillon dhe mëson.

“Do punohen të gjitha, por me kujdes. Kur të dalësh matanë rezervuarit, ke edhe aty pemë.”

I moshuari thotë se në pyll, por edhe përreth shtëpisë së tij ka eksperimentuar duke mbjellë pemë që klima nuk i favorizon shumë, megjithatë ato janë rritur e kanë dhënë fruta.

“Kur kam ardhur fillimisht këtu, ka qenë moçalishte. E kam modifikuar, kam hapur kanale kullimi. E prorova me pemë, agrume, ullishte, vreshtari. I përshtatet më shumë dardha, molla, kumbulla, sidomos arrat. Kam mbjellë edhe gështenjë”.

Përveç tyre ka edhe një serë ku kultivon perime. Për të kujdeset më tepër bashkëshortja.

“Serën e kam bërë për familjen, mjafton, është 65 metër katror”.

Të shumta janë edhe kafshët.

“Bagëti, kam një lopë, një dele, një viç. Shpend, kam pula, pata.”

Kujdes të veçantë tregon për bletët. Ka mbi 120 koshere.

Në pyll ka krijuar edhe një rezervuar. Kur është i ngeshëm, shkon e peshkon atje, por më së shumti rezervuarin e vizitojnë banorë të zonës të cilët kanë pasion peshkimin.

Gjithë çfarë ka ndërtuar në 30 vite ka bërë kureshtarë vizitorë të shumtë të cilët Ilir Zgjuni me bashkëshorten i pret e përcjellë me gjithë të mirat.

Këtë pasuri, Ilir Zgjuni thotë se do ua trashëgojë fëmijëve, nipërve dhe mbesave të cilët shkojnë e pushojnë shpesh atje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!