Shmanget votimi disa herë, Pelinku flet për ABC: Pajisja sinjalizon, ka edhe fotot

schedule15:56 - 2 Nëntor, 2020

schedule 15:56 - 2 Nëntor, 2020

Nga Esiona Konomi

Kur tu drejtohemi kutive të votimit në 25 prill, nuk do të jenë komisionerët ata që na lejojnë të votojmë ose, jo.

Identifikimi do të jetë biometrik, si një kërkesë e opozitës për të shmangur votimin disa herë. Detajet i shpjegon Lealba Pelinku, zëvendëskomisionerja që në KQZ erdhi nga Partia Demokratike.

“Pajisja përmban të gjitha të dhënat e votuesit do të bëjë identifikimin e zgjedhësit. Pra do të kalohet mjeti i identifikimit dhe pajisja konfirmon të dhënat e zgjedhësve. Pajisja mban dhe foto, por jo ajo foto e vogël që ka karta apo pasaporta, por një foto më e madhe, e tillë në përmasa që të duket qartë që personi që është në qendrën e votimit është e njëjtë me atë në foto që sheh komisioni përmes pajisjes. Pajisja do të jetë e konfiguruar në mënyrë të tillë që të evidentojë dhe  të dokumentojë rastet kur një zgjedhës nuk i përket asaj qendre votimi, ose që tenton të votojë më shumë se një herë”, thotë ajo.

Pajisja nuk dallon dot nëse një qytetar voton edhe në qendra të tjera votimit, por në këtë rast, pasojat abuzuesi do t’i ndjesë më pas.

“Kush ka votuar, me të dhënat përkatëse përfshirë dhe shenjat e gishtave si nënshkrim, do të ruhen, bashkohen në qendrën e sistemit dhe bëhet kryqëzimi i tyre për të evidentuar rastet kur ka pasur shkelje”, sqaron Pelinku.

Ky sistem është i mbrojtur nga sulmet kibernetike apo ndërhyrjet dashakeqe.

“Ky është një sistem offline. Nuk do të ketë lidhje me asnjë rrjet elektronik dhe arsyeja pse u zgjodh ky lloj sistemi është pikërisht shmangia e çdo lloj ndërhyrjeje të mundshme nga jashtë”, shton më tej zëvendëskomisionerja.

Nuk ka ende një shifër, se sa mund të na kushtojë teknologjia në zgjedhje, edhe pse shifrat janë të ndryshme nga 15 milionë euro të artikuluara në Këshillin Politik në 3 milionë euro të llogaritura jo zyrtarisht nga administrata e KQZ-së.

“Një opsion është tu drejtohemi kompanive që kanë një përvojë të suksesshme në këto lloj sistemesh, që ata të japin vlerësimet e tyre nisur nga këto lloj karakteristikash që ne duam të implementojmë dhe ata të na japin kostot. Pasi të evidentojmë koston, i kërkohet Këshillit të Ministrave alokimi i fondeve e kur të kemi buxhetin do të hapet tenderi”, tha Pelinku.

Pajisjet ende nuk janë në KQZ, madje nuk është shteruar diskutimi nëse ato duhen blerë apo duhen marrë me qera./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!