Shmanget mbyllja e qeverisë në SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve miraton një masë të përkohshme buxhetore

schedule08:31 - 26 Shtator, 2024

schedule 08:31 - 26 Shtator, 2024

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të mërkurën një masë të përkohshme për vazhdimin e financimit të agjencive federale ndërsa të martën e ardhshme fillon viti i ri fiskal. Sipas planit, buxheti i plotë fiskal do të shqyrtohet pas zgjedhjeve të 5 nëntorit.

Masa e përkohshme e miratuar me një votim 341-82, përcakton financimin në nivelet aktuale të agjencive federale deri më 20 dhjetor. Por në masë u përfshi një shtesë buxhetore prej 231 milionë dollarësh për fuqizimin e Shërbimit Sekret pas dy përpjekjeve në jetën e kandidatit republikan për president, Donald Trump. Po ashtu paratë do të ndihmojnë në procesin e tranzicionit presidencial, mes të tjerash.

Projektligji do t’i kalojë Senatit për votën përfundimtare. Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, tha se kishte arritur një marrëveshje për miratimin e shpejtë të masës.

“Kështu duhen bërë gjërat, pa kaluar caqet, pa vonesë”, tha zoti Schumer.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, tha se masa financon “vetëm atë që është absolutisht e nevojshme”, një deklaratë e drejtuar ndaj kolegëve të tij republikanë të cilët kanë shprehur shqetësime lidhur me nivelin e shpenzimeve.

Udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve u detyrua të mbështetej tek vota e demokratëve për miratimin e masës së përkohshme buxhetore, e cila kërkon dy të tretat e votave. Zoti Johnson tha se alternativa e vetme në këtë fazë do të ishte mbyllja e pjesshme e qeverisë.

“Mbyllja e qeverisë do të ishte gabim politik dhe të gjithë e kuptojnë këtë”, tha republikani Johnson.

Ligjvënësit duan të kthehen në shtetet e tyre dhe të vazhdojnë fushatat për rizgjedhje. Sidoqoftë ata do të përballen me negociata më të vështira fiskale në fund të vitit.

Në bazë të kushteve të një marrëveshjeje të mëparshme për të shmangur falimentimin në borxhin federal, shpenzimet për programet e mbrojtjes dhe të tjera do të rriteshin me vetëm 1% vitin që vjen.

Senati i kontrolluar nga demokratët kërkon tejkalimin e këtij niveli, ndërkohë që republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kërkojnë shkurtime të thella në shumë programe që nuk kanë lidhje me mbrojtjen. Këto qëndrime e bëjnë të vështirë arritjen e një marrëveshjeje për buxhetin e plotë vjetor.

Masa e përkohshme buxhetore do ta financojë qeverinë në nivelet aktuale, por me disa përjashtime, siç ishte shtimi i fondeve për Shërbimin Sekret./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!