Shkup, Xhaferri kërkon respektimin e procedurave për deputetët e arrestuar

schedule14:30 - 28 Nëntor, 2017

schedule 14:30 - 28 Nëntor, 2017

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë reagoi pas arrestimit të deputetëve duke thënë se duhen respektuar procedurat. Ish ministri i brendshëm maqedonas si dhe njëkohësisht drejtor i Byrosë për siguri publike Mitko Cavkov është arrestuar mëngjesin e të martës me urdhër të prokurorisë. Çavkov është vënë në pranga në kuadër të hetimeve për dhunën e shpërthyer në parlamentin e vendit në 27 prill në kohën që ai drejtonte ministrinë e brendshme. Sipas akuzës ai për rreth dy orë nuk ka urdhëruar agjentët e policisë që të ndërhyjnë duke rrezikuar në këtë mënyrë jetën e deputetëve dhe gazetarëve. Çavkov është fotografuar në pranga në Gjykatën Penale ku ka dhënë deklaratën para gjykatësit në procedurë paraprake.

Bashkë me Çavkov, janë arrestuar edhe persona të tjerë, mes të cilëve edhe deputetët Kërsto Mukovski dhe Zhaklina Stefanovska, aktorin Vllado Jovanovski, Goran Angelov – Qoseto nga Velesi. Mes të arrestuarve janë edhe deputeti që hapi dyert e Kuvendit, Kërste Mukovski, deputetja Zhaklina Stefanovska, deputeti Luben Arnaudov, aktori Vllado Jovanovski, Goran Angellov-Qoseto, ish drejtori i Fondit Shëndetësor Sashe Stefanovski dhe të tjerë duke e cuar numrin e të ndaluarve në 15.

Menjëherë pas arrestimit të tij dhe zyrtarëve të tjerë përfshi edhe aktorë, ka reaguar VMRO-ja duke e quajtur një juntë anti shtetërore të kryeministrit Zoran Zaev.

Sipas kësaj partie arrestimet e zyrtarëve të VMRO-së janë përpjekje për heshtjen e opozitës dhe mposhtjen e rezistencës së partisë kundër të gjitha politikave anti-shtetërore të cilat Qeveria ka realizuar periudhën e fundit. Partia e Nikolla Gruevskit i ka ftuar të gjithë mbështetësit dhe simpatizantët e kësaj partie që të dalin në protestë në orën 13 e 30 përpara Gjykatës Themelore në Shkup./abcnews.al