Dy persona humbën jetën dhe një i mitur ka mbetur i plagosur në Shkupi, pas të shtënave me armë zjarri që u regjistruan mëngjesin e së hënës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 09: 00 në vendin e njohur si Volkovë. Një qiramarrës ka qëlluar disa herë pronarin e shtëpisë ku jetonte, duke e lënë të vdekur. Sipas ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut, më pas autori ka vrarë edhe veten.
Si pasojë e të shtënave, plumbat kanë prekur edhe djalin e mitur të pronarit të banesës, duke e lënë të plagosur. Ky i fundit është transportuar për mjekim në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”.
Sipas informacioneve nga spitali, i mituri ndodhet në gjendje të qëndrueshme. Mbeten ende të paqarta motivet që çuan autorin në këtë akt të rëndë ndaj pronarit te banesës ku ai jetonte. Hetimet vijojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.