Shkup, pritet të miratohet kabineti i ri qeveritar

schedule19:30 - 16 Janar, 2022

schedule 19:30 - 16 Janar, 2022

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut pritet të miratojë të dielën kabinetin e ri qeveritar që do të drejtohet nga social-demokrati Dimitar Kovaçevski.

Debati që u hap dje në parlament po shoqërohet me polemika të shumta, ndërsa opozita, si partitë maqedonase ashtu edhe ato shqiptare e quajnë jolegjitim zotin Kovaçëvski pasi ai asnjëherë nuk ka marrë pjesë drejtpërdrejt në zgjedhje.

Ndërkohë, ligjvënësit e shumicës thonë se legjitimitetin e dëshmon shumica parlamentare.

Zoti Kovaçevski ka theksuar përkushtimin për zbutjen e krizës ekonomike dhe energjetike që e kanë burimin, sipas tij, tek pandemia e koronavirusit.

Përparësi të tjera për kabinetin e tij paraqesin integrimi evropian i vendit dhe në këtë kuadër zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë fqinje lidhur me gjuhën dhe historinë. Sofia ka bllokuar procesin e bisedimeve të Shkupit me Bashkimin Evropian.

Debati në parlament, sipas rregullores duhet të përfundojë para mesnatës dhe propozimi për kabinetin qeveritar të vihet në votim.

Qeveria miratohet me shumicë të thjeshtë, ndërsa shumica parlamentare ka 64 ligjvënës nga 120 sa ka gjithsej parlamenti.

Kabineti i ri do të ketë 21 ministra, një më tepër se qeveria e Zoran Zaevit. Lidhja Social demokrate me partnerët e saj të vegjël do të drejtojnë 9 ministri; Bashkimi Demokratik për Integrim gjashtë dhe partia Alternativa 3 ministri.

Ndërkohë, VMRO-DPMNE-ja e opozitës paralajmëron protesta nëse brenda vitit nuk shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare./VOA