Kanë dështuar në Shkup negociatat mes kryeministrit Zoran Zaev dhe përfaqësuesve të partisë shqiptare “Besa” mbi ndryshimet kushtetuese që rrjedhin nga marrëveshja e Prespës. Sipas mediave maqedonase, pika e përplasjes mes palëve është lënia e gjuhës shqipe jashtë ligjit kushtetues.
Gjithashtu, pala shqiptare kërkon që në dokumentet e identifikimit të bëhet edhe dallimi i etnisë. Duke folur pas takimit, kryeministri Zaev ka deklaruar se për kërkesat e shqiptarëve mund të gjenden zgjidhje teknike.
Por nga ana tjetër, Zaev ka lënë të kuptohet se i druhet mungesës së kuorumit prej 80 votash për të miratuar në Parlament ndryshimet kushtetuese. Në rast se votimi dështon, Zaev ka paralajmëruar se do të thërrasë Këshillin Qendror të partisë së tij LSDM për të diskutuar përgjegjësinë.
Megjithatë, kreu i qeverisë nuk ka saktësuar nëse mbajtja e përgjegjësisë nënkupton dorëheqjen e tij apo zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka deklaruar se pa sigurimin e numrave të nevojshëm nuk do të nisë procedura për votimin e amendamenteve. Seanca parlamentare për çështjen në fjalë do të vazhdojë ditën e premte./abcnews.al