Shkumbini del nga shtrati, përmbytje në Elbasan

schedule17:43 - 29 Nëntor, 2021

schedule 17:43 - 29 Nëntor, 2021

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati. Mësohet se lumi ka dalë në fshatin Malasen dhe për pasojë janë përmbytur rreth 5-6 hektarë tokë bujqësore.

Burime zyrtare pranë Shtabit të Emergjencave Civile bëjnë të ditur se si pasojë e reshjeve dhe erërave në disa zona ka probleme sa i takon furnizimit me energji elektrike. Aktualisht raportohen probleme në fshatrat e Librazhdit dhe Gramshit si dhe në njësinë administrative Shushicë të Elbasanit.

Po ashtu probleme ka pasur me rrëshqitjet e gurëve në vendin e quajtur Kthesa e Murrashit në Librazhd por qarkullimi i mjeteve vijon normalisht pasi firma kontraktuese është duke vijuar punën për mirëmbajtjen e rrugës. Rrëshqitje dherash raportohen edhe në fshatin Bersnike të Gramshit.

Edhe lumi Vjosa ka dalë nga shtrati. Reshjet e dendura te shiut që kanë rënë dhe vijonë të bien në zonën e Leskovikut dhe Përmetit prej ditës së djeshme dhe në vijim ka bërë që prurjet në lumin Vjosa të jenë të mëdha duke bërë që në disa pika të ketë dhe dalje nga shtrati.

Në zonën e Përmetit niveli i Vjosës ka arritur 5.3 metër ndërkohë që pika kritike është 5.4. Kjo situatë është në monitorim. Niveli i lumit Vjosë në Novoselë aktualisht është në 6.34 metra çka ka sjellë edhe përmbytjen e tregut të gjësë së gjallë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!