Një tjetër fabrikë është shkatërruar në Rusi si pasojë e zjarrit. Këtë herë, ngjarja ka ndodhur pranë Moskës dhe fabrika prodhonte veshje ushtarake dhe antiplumba për ushtrinë e Putin.
Ndërkohë, pronari i fabrikës Gavary Group është një prej të sanksionuarve nga Perëndimi, pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Më shumë se 100 zjarrfikës janë në gatishmëri për të vënë flakët nën kontroll, ndërsa autoritetet ruse kanë nisur menjëherë hetimet nëse në këtë ngjarje ka sërish “gisht” Ukraina.
Ngjarje të tillë në fabrikat ruse, të cilat kryesisht i vijnë në ndihmë ushtrisë, janë bërë të shpeshta në Rusi që prej 23 muajsh, atëherë kur Putin urdhëroi nisjen e luftës me Ukrainën.
Rikujtojmë se Ukraina goditi një fabrikë ruse të barutit dhe një fabrikë raketash në një sulm të dyshuar me dron kamikaze në nëntor 2023.
Pamjet treguan një shpërthim dhe zjarr masiv në fabrikën e barutit në rajonin e Tambovit. Vendasit dëgjuan një shpërthim para zjarrit gjigant në objektin që furnizon me municion ushtrinë ruse.
Rusia akuzoi gjithashtu Ukrainën për kryerjen e “një akti të terrorizmit” pasi një termocentral u shënjestrua në një sulm me dron në tetor 2023. Dhe muajin e kaluar një tren që përmbante municione nga Koreja e Veriut u hodh në erë nga forcat speciale ukrainase.
/abcnews.al