Shkrimtari Salman Rushdie del për herë të parë publikisht, pas sulmit me thikë vitin e kaluar

schedule11:39 - 19 Maj, 2023

schedule 11:39 - 19 Maj, 2023

Autori britanik Salman Rushdie doli për herë të parë publikisht në një gala të shkrimtarëve në Nju Jork të enjten mbrëma pas sulmit me thikë  në gusht të 2022.

Shkrimtari i njohur me origjinë indiane, Salman Rushdie, i cili ka marrë nënshtetësinë amerikane dhe jeton në Nju Jork, mori një çmim nderi nga PEN America, një organizatë që mbron lirinë e shprehjes dhe letërsisë.

Intelektuali 75-vjeçar, i cili u shfaq me syze me një lente të zezë mbi syrin e djathtë, u fotografua në tapetin e kuq në Muzeun Amerikan të Historisë Natyrore pranë Central Park në Manhattan.

Rushdie, prania e të cilit në gala nuk ishte paralajmëruar paraprakisht, mbajti një fjalim përpara 700 të ftuarve.

“PEN America nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme,”tha autori, sipas një deklarate të lëshuar nga shoqata që lufton për lirinë e shprehjes.

“Terrorizmi nuk duhet të na tmerrojë. Dhuna nuk duhet të na dekurajojë. Lufta vazhdon,” vuri në dukje ai.

Më 12 gusht, Rushdie ishte ftuar në një ngjarje letrare në Chautauqua. Kur ai mori fjalën, një i ri libanezo-amerikan, i dyshuar si mbështetës i grupit shiit të Iranit e qëlloi 10 herë me thikë.

/abcnews.al