Drejtoria e Policisë së Tiranës ka reaguar ka reaguar nëpërmjet një njoftimi zyrtar lidhur me shkresën që Gjykata e Posaçme dhe prokuroria pretenduan se drejtuesit e policisë nuk iu përgjigjën kërkesës së Gardës për të marrë masa për të menaxhuar situatën me mbështetësit e kryebashkiakut Erion Veliaj gjatë seancës së 12 shkurtit për verifikimin e masës së sigurisë.
Në reagimin e saj, policia thotë se nuk ka ndodhur më parë, që organet ligjzbatuese komunikojnë përmes mediave ndërkohë që kanalet institucionale të komunikimit kanë qenë plotësisht efikase. Në lidhje me grumbullimin e mbështetësve përballë godinës së SPAK dhe gjykatës, policia thotë se ka qenë rastësor dhe nuk ka patuar asnjë informacion.
Megjithatë për garantimin e sigurisë gjatë caktimit të masës së sigurisë, janë angazhuar 77 efektivë policie.
“Qytetarët në datë 12 Shkurt janë grumbulluar në mënyrë spontane dhe pa cenuar rendin publik, ndaj për këto arsye procedura standarde e tubimeve nuk ka gjetur zbatim për vendosjen e kordonit policor, i cili vendoset në vendin e kufizuar për tubim, çka në rastin konkret përveçse e panevojshme do të ishte edhe e pamundur, për shkak se grumbullimi i qytetarëve ka qenë spontan dhe i pa paralajmëruar.“
Ndryshe nga sa pretendon gjykata e posaçme dhe SPAK, se punonjës të gardës kanë informuar policinë e shtetit për tubimin jashtë rrethimit, policia thotë se nuk ka marrë asnjë njoftim në formë shkresore apo verbale, apo telefonatë ku punonjës të Gardës së Republikës apo ndonjë entitet tjetër, të kenë njoftuar për cenim të rendit dhe sigurisë publike, apo paligjshmëri të tjera pranë dhe përreth godinës së Gjykatës së Posaçme.
“DVP Tiranë thekson se nuk ka marrë asnjë njoftim në formë shkresore apo verbale, apo telefonatë të drejtuar në Sallën e Menaxhimit dhe Drejtimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ku punonjës të Gardës së Republikës apo ndonjë entitet tjetër, të kenë njoftuar për cenim të rendit dhe sigurisë publike, apo paligjshmëri të tjera pranë dhe përreth godinës së Gjykatës së Posaçme.”
Po kështu pranë punonjësve të Policisë që janë vendosur në perimetrin pranë Gjykatës së Posaçme dhe SPAK, nuk janë raportuar probleme për pengim të lëvizjes së gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të tjerë të administratës.
Gjithashtu Drejtoria e Standardeve Profesionale në policinë e shtetit ka filluar një hetim administrativ për të vlerësuar masat e marra nga autoritetet përgjegjëse dhe për të individualizuar përgjegjësinë e çdo strukture policore të angazhuar në këtë shërbim, në rast se konstatohet ndonjë e metë./abcnews.al


