Aktivistja dhe gazetarja iraniane Nargis Mohammadi, e cila u nderua me Çmimin Nobel për Paqen për vitin 2023, ka njoftuar se ka përfunduar grevën e urisë pasi u dërgua në spital pa u detyruar të mbulonte kokën, sipas një mesazhi që ajo i dërgoi familjes së saj.
“Unë u transferova nga burgu në spital sot pa mbajtur shaminë,” shkroi Nargis Mohammadi në një mesazh në Instagram të lëshuar nga të afërmit e saj për AFP.
Ajo filloi një grevë urie më 6 nëntor, duke refuzuar të mbante shami për t’u transportuar në spital. Ajo vuan nga probleme me zemrën dhe nevoja për shtrimin në spital ishte urgjente.
“Pasi u transferova në spital pa u detyruar të mbulohesha dhe pasi u ktheva në burg, i dhashë fund grevës së urisë”, ka shkruar ajo.
Miqtë dhe të afërmit që e prisnin në hyrje të spitalit u ndaluan për një kohë të shkurtër, u morën në pyetje dhe u konfiskuan kamerat.
“Qeveria kishte frikë të mos shihesha pa shami. Derisa hixhabi të hiqet, unë do të vazhdoj të eci pa u mbuluar dhe ju do të dridheni kur të shihni gra pa shami”.
Komiteti i dha gazetares dhe aktivistes 51-vjeçare Çmimin Nobel për Paqen këtë çmim për “luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe për promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirive për të gjithë”.
Nargis Mohammadi është arrestuar 13 herë dhe është dënuar 5 herë me gjithsej 31 vite burg dhe 154 kamxhik. Ajo u riburgos në vitin 2021 dhe është një nga figurat kryesore të kryengritjes “Gruaja, Jeta, Liria”.
Gratë iraniane hodhën shamitë e tyre, prenë flokët dhe demonstruan në rrugë në kryengritjen, e cila u ndez nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, pasi ajo u arrestua në Teheran nga policia e moralit për shkeljen e kodit të veshjes të vendosur ndaj femrave iraniane.
Në një mesazh nga burgu për të shprehur mirënjohjen e saj për Çmimin Nobel për Paqen dhe të lexuar nga vajza e saj, Nargis Mohammadi e quajti hixhabin e detyrueshëm “një burim kyç kontrolli dhe shtypjeje në shoqëri që synon ruajtjen dhe përjetësimin e një qeverie fetare autoritare”.