Një person është plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Roskovec. Policia njofton se rreth orës 20:20 persona të paidentifikuar shkuan për të vjedhur në banesën e Arben Çepeles, rreth 65 vjeç, por janë pikasur nga pronari dhe kushëriri i tij, i cili quhet po ashtu Arben Çepele.
Autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy kushërinjve dhe për pasojë ka mbetur i plagosur kushëriri i pronarit të shtëpisë, rreth 40 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve.
Gazetarja e ABC, Valbona Davidhi raporton se i kushëriri i pronarit të shtëpisë ka marrë një plumb në këmbë dhe ndodhet në operacion në rrezik për jetën sepse plumbi i ka prekur arterien kryesore.
Policia deklaron se janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe vijon punën për fiksimin e çdo prove materiale që do shërbejë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve./ db/ Abcnews.al