“Shkodra në kolaps për mbetjet”, banorët bllokojnë punimet në kodrat e Rrencit: Duam informacion

schedule11:14 - 13 Janar, 2021

schedule 11:14 - 13 Janar, 2021

Banorët e fshatrave Bardhaj dhe Bleran, të njësisë administrative të Bashkisë Shkodër, protestojnë këtë të mërkurë pasi kërkojnë informacion për investimin që po bëhet nga Bashkia Shkodër në kodrat e Rrencit.

Sipa banorëve synohet hedhja e mbeturinave pranë ish-repartit të zbulimit në fshatin Bleran. Për këtë arsye banorët e ngritur në protestë kërkojnë sqarime nga Bashkia e Shkodrës, pasi ata shprehen se rruga po ndërtohet për depozitimin e mbeturinave, fill pas marrëveshjeve me Bashkisë dhe Landfillit.

Lexo edhe: Vau i Dejës rrit 43% tarifën për mbetjet, Ademi: Ligji e ndalon 3 muaj para zgjedhjeve

Ndërkohë ata kanë bllokuar edhe punimet e fadromave.

“Kjo rrugë hyrjen e ka, por daljen nuk e ka. Përse kanë investuar këtu. Ata bëjnë investime këtu, përse nuk investojnë për rrugën më poshtë, fëmijët i kalojmë në shpinë, sepse fugoni nuk vjen këtu”, shprehet një banor i zonës.

Po ashtu famulltari i fshatit të Rrencit, Dom Raffaele Gagliardi është shprehur se nëse ky investim ka qëllim depozitimin e mbeturinave, atëherë  asnjë mjet punimi nuk do të lejohet në atë zonë.

“Nëse kjo rrugë bëhet për qëllim të depozitimit të mbeturinave, këtej nuk do kalojë asnjë makinë me mbeturina”, është shprehur ai.

Gazetari Simon Shkreli raporti se sipas banorëve informacioni në lidhje depozitimin e mbeturinave në këtë zonë dyshohet se është ngritur pas prishjes së marrëdhënieve mes Bashkisë dhe landfillit të Bushatit.

“Kjo rrugë nuk na shërben. Është rruga tjetër që na shërben. Edhe ajrin që kemi duan të na e marrin”, është shprehur një tjetër banor.

Sakaq është vënë re se mbeturinat në Shkodër po pastrohen, ndërsa lagja ku banorët jetojnë është e braktisur dhe ndodhet në breg të lumit Kir.

Ata janë shprehur se në rast se mbeturinat do të hidhen në këtë zona, janë  të vendosur se do t’i kundërshtojnë.

Situata e mbetjeve ka shkaktuar kolaps në Shkodër pas rritjes së tarifës prej 43% nga Bashkia e Vaut të Dejës, e cila u kundërshtua kryetarja e bashkisë Shkodër pasi e konsideroi vendimin të paligjshëm.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!