“Shkodra me numrin më të lartë të të larguarve nga vendi”, Spahia: Fokusi, përmirësimi i shërbimit të qytetarëve

schedule17:52 - 7 Prill, 2023

schedule 17:52 - 7 Prill, 2023

Kryebashkiaku aktual dhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahia tha gjatë intervistës për Abc News se Shkodra është bashkia me numrin më të madh të të larguarve nga vendi dhe si rrjedhojë, Rama nuk mund të pretendojë të marrë mbështetjen e qytetarëve shkodranë.

“Ne garën e kemi pasur të vazhdueshme me qeverinë Rama, garën e kemi konstante me Ramën dhe kushdo që zgjedh të përfaqësojë Ramën, nuk mund të marrë mbështetjen apo të pretendojë të marrë mbështetjen e qytetarëve të Shkodrës. Jemi bashkia me numrin më të madh të të larguarve nga vendi. Bashki e cila si asnjëherë tjetër është sulmuar egërsisht nga kjo qeveri.”

I pyetur për politikat që ka ndërmarrë si kryebashkiak për qytetarët e Shkodrës, ai tha:

“Jemi fokusuar tek politikat lokale drejt stimulit drejt realiteteve të ekonomive të reja, thithjes së investimeve konkrete nëpërmjet prezantimit të konferencave të jashtëzakonshme, në të cilat kemi prezantuar projekte konkrete për qytetin tonë. Kemi kërkuar financim të këtyre projekteve serioze.

I kemi dhënë fokus të veçantë zhvillimit të turizmit ku kemi rritur me sukses numrin e turistëve me 30 për qind. Kemi dhënë një fokus edhe politikave rinore në fokus, që t’i asistonim gjatë shkollimit dhe futjes në tregun e punës. I kemi dhënë mbështetje të vazhdueshme nëpërmjet taksave minimale apo hapësirave të bashkisë.

I kemi ofruar mundësi çdo biznesi që të kontribuojë dhe të zgjerohet në territorin e bashkisë Shkodër, që t’ju japim të rinjve mundësi punësimi këtu. Ne kemi tashmë të qartë atë që do të ofrojmë.
Kemi hartuar një program serioz të bazuar mbi të dhëna konkrete, objektiva realiste dhe jo fantazitë 3D të qeverisjes qendrore.

Do të fokusohemi tek një Shkodër inovative, bashkëpunuese, me cilësi shërbimesh si asnjëherë më parë. Një Shkodër me fokus rininë, kulturën, artin që i kemi pikat dalluese, me fokus sportin dhe krijimin e hapësirave sportive.“, tha mes të tjerash ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!