Një investim madhor pritet të marrë jetë në qytetin e Shkodrës. Projekti është miratuar edhe nga kryeministri i vendit, Edi Rama, ndërkohë që për këtë hap është shumë i gëzuar Alban Xhaferi. Presidenti i Vllaznisë në basketboll, si dhe sponsor në klubin e futbollit, ka edhe diçka për të thënë në lidhje me këtë kompleks, që ndihmon në zhvillimin e basketbollit, volejbollit, tenisit dhe hendbollit.
“E vlerësoj maksimalisht angazhimin e përbashkët të Kryetares së Bashkisë Shkodër dhe të Kryeministrit shqiptar për miratimin e lejes zhvillimore në ndërtimin e kompleksit sportiv, ku përfshihen 3 fusha të mbyllura për lojërat me dorë, si dhe 6 fusha tenisit.
Një sipërmarrje sportive aspak e lehtë, e iniciuar mes miqsh dhe dashamires të sportit, që duhet mbështetur në çdo hap dhe nga të gjitha nivelet e qeverisjes vendore dhe qendrore, madje edhe më gjerë, për t’i dhënë mundësinë tifozëve të zjarrtë shkodran, qytetarëve dhe veçanërisht të rinjve për t’u marre me sportet e lojërave me dorë në përgjithësi.
Me ndihmë të Zotit uroj dhe shpresoj që kjo sipërmarrje unike dhe e rëndësishme për qytetin tonë, pse jo edhe për të gjithë rajonin, të realizohet sa më shpejt dhe të vihet në funksion të zhvillimit të lojërave me dorë për t’i sjellë një dimension të ri zhvillimit të këtyre sporteve”, shkruan Xhaferi, i cili do të bashkëpunojë me “Shkodra Tenis” për realizimin e këtij projekti.
Kompleksi sportiv do të ketë 6 fusha tenisi, ndërkohë që do të jenë edhe tre fusha basketbolli, që përdoren edhe për volejboll. Një prej këtyre fushave do të jetë e përshtatshme edhe për hendboll, që është një plus edhe për këtë sport mjaft interesant dhe jo shumë të përhapur në vendin tonë. /abcnews.al