Në lidhje për ABC e Mëngjesit nga Bostoni, vjen historia e bukur e Rozita Fishtës, violinistes që jeton mes klasikes dhe modernes. Që në moshën 5-vjeçare, violina u bë pjesë e jetës së saj, duke e udhëhequr nga Shkodra drejt skenave botërore. Pas studimeve në shkollën e muzikës dhe aktiviteteve në teatrin “Migjeni”, 18-vjeçare fitoi bursë të plotë në Santa Cecilia në Romë.
Në Itali performoi me orkestrën legjendare nën drejtimin e Antonio Pappano, para se të zhvendosej në SHBA në vitin 2013. Fillimet në Boston ishin të vështira: puna si ndihmëse në restorant, barriera gjuhës dhe një rrugë e gjatë për të ndërtuar emrin.
Sot, Rozita pasi ka qenë koncertmaistre në New England Philharmonic dhe Kendall Square Orchestra, dhe ka performuar në skena prestigjioze si Wang Theater, Agganis Arena dhe MGM, interpreton solo në violinë elektronike.
Në skenë ndërthur pop, rock, jazz, EDM e latino, ndërsa si soliste gjen dialogun më intim me veten. Ka ndarë skenën me emra të mëdhenj si Ledisi, Q-Tip, Gilberto Santa Rosa, dhe së fundmi bashkëpunon me MC Kreshën, Alban Skenderaj apo Ledri Vulen.
Në shpirt mbetet edhe poete, piktore dhe nënë krenare. Pinjolle e familjes Fishta, ajo mban gjallë trashëgiminë e fjalës dhe tingullit. Në shtëpinë e saj ruhen ende karriget ku dikur rrinte poeti ynë kombëtar At Gjergj Fishta, i cili paraardhësit e Rozitës i konsideronte si familjen e tij.
Rozita tha gjatë intervistës se nëse do të duhej të rizgjidhte, prapë do të shkonte tek violina, pavarërisht sakrificave që i është dashur të bëjë… Një jetë ku muzika nuk është thjesht profesion, por frymëmarrje.


