“Shko drejt shpëtimit me dashuri dhe paqja do të të ndjekë”, fjalimi i Joaquin Phoenix në Oscar ngre sallën në këmbë

schedule15:35 - 10 Shkurt, 2020

schedule 15:35 - 10 Shkurt, 2020

Ashtu siç në fakt pritej Joaquin Phoenix rrëmbeu çmimin Oscar për rolin e tij n filmin “Joker”.

Pasi u ngjit në skenë e falenderoi kolegët për mundësinë, aktori e nisi fjalimin e tij duke u shprehur modestisht se ndonëse mban në dorë një trofe, ai nuk ndihej aspak më lart se kolegët e tij, e madje Phoenix drejtoi gishtin së pari nga vetja e më pas tek çdo njeri që mendon se është qendra e universit duke luftuar kështu natyrën egocentrike që është krijuar tek njerëzimi.

 

“Jam i mbushur me mirënjohje tani. Nuk ndihem aspak më lart se asnjë prej miqve të mi të nominuar që ndodhen në këtë sallë, sepse ne ndajmë të gjithë njësoj një dashuri; kjo është dashuria e filmit. Dhe kjo mënyrë jetese më ka dhënë mua jetën e mrekullueshme që kam. Unë mendoj se dhurata më e madhe që më është dhënë mua dhe gjithë të tjerëve në këtë industri është fakti se ne mund të përdorim zërin tonë për ata që nuk kanë zë. Kam menduar shumë së fundmi për disa çështje shqetësuese me të cilat po përballemi të gjithë kolektivisht. Unë mendoj se nuk ka rëndësi kauza për të cilën ne luftojmë; nëse flasim  për pabarazi gjinore, racizëm, të drejta kafshësh sepse në fund ne po flasim për luftën kundër padrejtësisë.

Ne po flasim dhe duhet të luftojmë besimin se një komb, një popull, një racë, një gjini, një specie ka të drejtë të sundojë, kontrollojë, lëndojë dikë tjetër pa u ndëshkuar.

 

 

Unë mendoj se të gjithë ne po shkëputemi shumë nga bota natyrore. Shumë prej nesh janë fajtorë për një botëkuptim egocentrik duke menduar se ne jemi qendra e Universit. Ne hymë në botën natyrore dhe e plaçkisim atë, ne mbarsim një lopë dhe ja vjedhim fëmijën para syve të saj, pa na intersuar aspak klithmat e saj prej nëne, më pas i marrim asaj qumështin i cili natyralisht prodhohet për t’ja dhënë viçit, por ne ja hedhim kafes tonë në mëngjes.

Ne kemi frikë nga ideja e ndryshimit personal, sepse ne mendojmë se duhet patjetër të sakrifikojmë diçka për të hequr dorë nga diçka tjetër. Por nuk duhet të harrojmë se të qenit njerëzor në më të mirën e tyre është kaq krijues e shpikës, sa ne jemi shumë mirë në gjendje të krijojmë, zhvillojmë, zbatojmë sisteme të ndryshimit që do të ishin të dobishme për të gjitha qeniet, e po ashtu edhe për mjedisin.

Unë kam qenë një horr gjatë gjithë jetës time, kam qenë egoist, ndonjëherë edhe mizor, por jam kaq i lumtur që shumë prej jush që jeni sonte në këtë sallë më keni dhënë një shans të dytë. Unë mendoj se ne jemi në më mirën tonë kur ne e mbështesim njëri tjetrin dhe jo kur e përjashtojmë për shkak të gabimeve që dikush mund të ketë bërë në të kaluarën.

Kur vëllai im River ishte 17 vjeç shkruajti këtë tekst: “Shko drejt shpëtimit me dashuri dhe paqja do të të ndjekë”: me shprehjen e shkruar nga vëllai i tij i ndjerë Joaquin mbylli fjalimin e Oscarit të parë në karrierën e tij kinematografike./abcnews.al