Shkëndija në krye falë super Ibraimit, Shkupi ia del në frymën e fundit

schedule17:11 - 20 Shtator, 2020

schedule 17:11 - 20 Shtator, 2020

Besart Ibraimi po kalon një moment të artë dhe i dhuroi fitoren e radhës Shkëndijës së Tetovës. Sulmuesi kryesor i kuqezinjve, njëkohësisht golashënuesi më i mirë në historinë e kampionatit të Maqedonisë së Veriut, realizoi dy golat e triumfit 2-1 ndaj Akademija Pandev.

33-vjeçari zhbllokoi shifrat në minutën e 33-të, teksa dyfishoi me penallti në minutën e 74-t. Miqtë rihapën takimin 11 minuta nga fundi, por vetëm kaq. Fitorja e katërt në kampionat për djemtë e Ernest Gjokës, që kryesojnë me 14 pikë pas javës së gjashtë.

 

Renditja në Maqedoninë e Veriut

Një pikë më pak numëron Shkupi, ekipi tjetër shqiptar i MFL. Bardhekaltrit pritën Renovën në shtëpi, ndeshja që dhuroi 7 gola dhe plot emocione. 4-3 fituan “Shvercerat”, falë golit të brazilianit Bianor në minutën e pestë shtesë.

Dy ndeshjet e tjera Belasica-Pelister dhe Silkes-Borec u mbyllën me triumfet e miqve, të cilët fituan respektivisht me rezultatet 0-2 dhe 1-2. /abcnews.al

Maqedonia e Veriut, java e gjashtë
Belasica-Pelister 0-2
Shkëndija-Akademija Pandev 2-1
(Ibraimi 33′, (pen) 74′ / Pandev 79′)
Shkupi-Renova 4-3
(Darboe 1′, Berisha 33′, Jusufi 73′, Bianor 90+5′ / Velija 5′, Shala 42′, Veliu 65′)
Sileks-Borec 1-2

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!