Shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar po bëjnë thirrje që njerëzit të shtojnë vitaminën D në ushqime të zakonshme si buka dhe qumështi për të luftuar Covid-19. Kjo vlen për njerëzit që kanë mungesë të kësaj vitamine në organizëm, raporton The Guardian.
Megjithatë pavarësisht kësaj, Shëndeti Publik në Angli dhe Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social i kanë refuzuar thirrjet e shkencëtarëve për të shtuar vitaminën D në ushqime si qumështi, buka dhe lëngu i portokallit, gjë që është praktikë në Finlandë, Suedi, Australi, SHBA dhe Kanada.
Organizimi i njeriut e merr vitaminën D pjesërisht nga rrezet e diellit dhe pjesën tjetër përmes ushqimeve. Kohëve të fundit, shkencëtarët e kanë lidhur mungesën e vitaminës D në organizëm me rrezikshmëri më të madhe për t’u infektuar me Covid-19 ose me rrezikshmëri më të madhe për të pasur simptoma të rënda.
Qeveria ka rekomanduar që e gjithë popullata të marrë suplemente të vitaminës D në muajt e dimrit, dhe sidomos ata që janë më të rrezikuar të marrin vitaminë D gjatë gjithë vitit.
Hulumtime të tjera tregojnë se pacientët me nivele më të ulëta të vitaminës D, të cilët diagnostikohen me Covid-19, kanë tendencë të kenë simptoma më të rënda, transmeton abcnews.al
Megjithatë jo të gjitha studimet kanë treguar se vitamina D, luan rol kyç në mbrojtjen ndaj virusit. Shumë shkencëtarë janë duke vëzhguar rëndësinë e vitaminës C dhe zinkut. Në një studim, ekspertët në Spanjë raportuan se pacientët me nivele të ulëta të zinkut në gjak kishin më shumë të ngjarë të ndërronin jetë nga Covid-19.
Momentalisht nuk ka ende një studim të miratuar gjerësisht për të gjitha lidhjet shkak-pasojë të vitaminës D dhe koronavirusit, megjithatë provat e deritanishme vërtetojnë se mungesa e saj në organizëm mund të shkaktojë probleme dhe jo vetëm me Covid-19.
Sidoqoftë, rëndësia e saj për një imunitet më të fortë është pohuar nga të gjithë studiuesit./abcnews.al