Në Portugali shkencëtarët pretendojnë se kanë bërë hapa gjigante në fushën e teknologjisë për mbrojtjen nga Covid-19. Bëhet fjalë për projektin e një maske të re me një veshje të veçantë që ndihmon në c’aktivizimin e koronavirusit kur agjenti patogjen bie në kontakt me materialin e maskës. Ekipi i kërkimit tregon se efekti mbrojtës zgjat deri në 50 larje, duke e bërë maskën shumë të përdorshme dhe pak ndotëse.
Veshja e maskës ka aftësinë të reduktojë njësitë infektuese të virusit deri në 99 për qind brenda 30 minutash sipas Pedro Simas të Institutit të Mjekësisë Molekulare të Lisbonës, një nga virologët që ka punuar në këtë projekt.
Simas këmbëngul në domosdoshmërinë për përdorimin e maskave duke e kombinuar me masat e distancimit social, dy faktorë vërtet vendimtarë për të ndaluar avancimin e Covid-19. Ai u shpreh se ky virus transmetohet nëpërmjet pikave të mëdha me një diametër prej një milimetri. Në këtë mënyrë çdo barrierë që ndalon këto pika që të hyjnë në sistemin e frymëmarrjes është shumë efikase. Maska e re përveç se një barrierë fizike mund të japë dhe një mbrojtje kimike.
Kjo maskë e re është testuar me sukses nga instituti francez Pasër në Lil kundër virusit H1N1 dhe kundër koranavirusit. Ajo nuk përmban substanca të dëmshme dhe mund të përdoret me shumë siguri. Shkencëtarët këmbëngulin se dhe pse mund të jetë e sikletshme, mbajtja e maskës është një sakrificë shumë e vogël që shpëton jetë njerëzish./abcnews.al