Shkencëtarët arritën të zgjidhnin një nga misteret e botës nënujore me ndihmën e peshkaqenëve

schedule16:34 - 22 Mars, 2023

schedule 16:34 - 22 Mars, 2023

“Livadhet” detare me bimë të gjelbra në dyshemenë e oqeanit janë shtëpia e të gjitha llojeve të gjallesave ujore si: breshka, peshq, kallamar, kuaj deti, anemone dhe gaforre.

Në hapësirat e mëdha të botës detare, ne nuk e dimë ende se sa livadhe të tilla shtrihen përgjatë brigjeve.

Barërat e detit shtrihen për qindra apo edhe mijëra kilometra dhe në zona me ujë të pastër që lejon që rrezet e diellit të depërtojnë, ato mund të rriten shumë më thellë se sa njerëzit mund të zhyten me pajisje speciale. Kështu, Austin Gallagher, një shkencëtar detar, donte të hetonte me ekipin e tij se sa të gjera janë këto kullota në Bahamas, për këtë ai “bashkpunoi” me gjallesën ujore më të mirë në botë: peshkaqenë tigër.

Duke i bashkangjitur kamerat këtyre grabitqarëve detarë që zhyten thellë, ekipi zbuloi me se Bahamas është shtëpia e më shumë livadheve me bar deti se kudo tjetër në Tokë.

Filmimet nga kamerat e bashkangjitura tek trupi i peshkaqenëve zbuluan se livadhet me bar deti mbulojnë të paktën 25,000 milje katrore. Studiuesit dyshojnë se kullotat në këtë rajon janë shumë më të mëdha dhe ka të ngjarë të mbulojnë një zonë me madhësinë e Portugalisë, rreth 36,000 milje katrore, sipas studimit në Nature Communications.

“Me ndihmën e pamjeve, ne mund të shihnim këto livadhe të mëdha nënujore,” thotë Gallagher, drejtor menaxhues i grupit shkencor të ruajtjes detare “Beneath the Waves”, i cili udhëhoqi kërkimin, dhe një eksplorues i National Geographic 2020-21.

Kafshët me kamera

Gallagher ka studiuar jetën detare në Bahamas për më shumë se një dekadë dhe është magjepsur nga peshkaqenët tigër shumë të lëvizshëm. Ai kishte vendosur më parë kamera në peshkaqenë, duke zbuluar jetën e përditshme të grabitqarëve detarë.

“Peshkaqenët tigër në Bahamas formojnë tufa, si ujqërit në Parkun Kombëtar Yellowstone. Këto kullota janë në thelb savana, dhe këtu janë të gjithë grabitqarët e mëdhenj,” thotë Gallagher. Ka lloje të tjera peshkaqenësh, të tillë si peshkaqenë me çekiç, por peshkaqenë tigër janë grabitqarët kryesorë.

Përdorimi i të dhënave satelitore ndonjëherë mund të jetë mashtrues për studimin e mjedisit nënujor. Nëse bari i detit është shumë i thellë ose uji është i turbullt, mund të mos jetë i dukshëm nga lart. Nevojitet konfirmimi me autopsi nënujore.

Ekipi i Gallagher kreu më shumë se 2500 sondazhe në terren, si nga zhytës ashtu edhe me varka. Ai gjithashtu vendosi tetë peshkaqenë tigër me pajisje gjurmuese satelitore në pendët e tyre kurrizore, të cilat ndihmuan në hartimin e vendit ku lëviznin. Në të njëjtën kohë, shkencëtarët i bashkangjitën kamera shtatë peshkaqenë të tjerë, duke përfshirë një kamerë 360 gradë që regjistroi shumë orë video gjatë disa viteve të kërkimit. Duke analizuar të gjithë këtë informacion, rezultoi se livadhet me bar deti ishin shumë më të mëdha nga sa kishte vlerësuar më parë komuniteti shkencor.

Nuk është hera e parë që kafshët detare janë përdorur për të studiuar livadhe me bar deti. Në vitin 2015, kamerat e vendosura mbi breshkat e detit zbuluan një tërheqje masive të breshkave të detit në Australinë Perëndimore pas një valë të nxehtë. Në vitin 2018, studiuesit vunë re se breshkat e detit me pajisje gjurmuese u konvergjuan të gjitha në një pikë në Oqeanin Indian. Ata ndoqën kafshët dhe zbuluan një livadh me bar deti të panjohur më parë në rajonin e oqeanit të Bankës së Madhe Chagos.

Livadhet me bar deti, përveç që janë shtëpia e shumë specieve, ruajnë edhe sasi të mëdha karboni, duke kontribuar në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Në disa vende, ato janë më të rëndësishme për njerëzit sesa shkëmbinjtë koralorë.

Një studim i kohëve të fundit me një mijë banorë nga 147 fshatra bregdetare në Tanzani, Sri Lanka, Indonezi dhe Kamboxhia zbuloi se shumica e vendasve preferonin të peshkonin në shtretërit e barit të detit dhe jo në shkëmbinj nënujorë koralorë. Ndërsa ka më shumë peshq dhe më shumë shumëllojshmëri në shkëmbinj nënujorë koralorë, peshqit që jetojnë në “livadhe” nënujore janë në fakt më ushqyes për njerëzit.

“Ne sapo kemi filluar të kuptojmë se sa të rëndësishme janë barërat e detit,” thotë Benjamin Jones, bashkëthemelues i Projektit Seagrass. “Prandaj, bëhet gjithnjë e më e rëndësishme të kuptojmë se sa prej tyre ka dhe ku.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!