“Shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi”, Lavrov: Mbështesim çdo marrëveshje që nuk cenon Serbinë

schedule19:40 - 1 Dhjetor, 2023

schedule 19:40 - 1 Dhjetor, 2023

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov deklaroi nga samiti i OSBE-së në Shkup këtë të premte se nuk është Moska ajo që synon destabilizim apo luftë në rajonin e Ballkanit Perëndimor por vetë Perëndimi.

Lavrov foli edhe mbi situatën e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë dhe u ndal tek përpjekjet për shkëmbim territoresh mes palëve dhe një marrëveshje të mundshme, për të cilën tha se e mbështet për aq kohë sa është në interes të Beogradit.

“Kohët e fundit ka pasur konsiderata serioze për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Serbisë Jugore dhe Kosovës. Nëse po flasim për ndonjë marrëveshje që do të ishte e përshtatshme për serbët dhe fqinjët e tyre, atëherë mendoj se të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë edhe ne, do të ishin të lumtur dhe do ta mbështesnin këtë. Ndoshta jo të gjitha vendet, por shumica”, tha ministri i Jashtëm rus.

Në konferencën e tij për shtyp nga Shkupi, Lavrov etiketoi Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së, si frikacakë që kanë frikë nga dialogu.

Kur u pyet mbi mundësinë e një zgjidhjeje politike sa i përket luftës në Ukrainë, Lavrov akuzoi se është Kievi që nuk pranon të ulet në tryezën e negociatave duke thënë se një marrëveshje ashtu si një tango nuk mund të realizohet pa dy partnerë./abcnews.al