Dinamo do të zhvillojë ditën e nesërme ndeshjen e javës së 10-të kundër Kastriotit në stadiumin “Elbasan Arena”, ora 16:45.
Një sfidë që blutë e kryeqytetit duhet ta fitojnë për t’iu larguar rrezikut në sonën e ftohtë në tabelën e kalsifikimit.
Në konferencën për shtyp para këtij takimi ka qenë i pranishëm trajneri Bledi Shkëmbi, i cili ka folur se skuadra do përmirësohet dita ditës, ndërsa theksoi se peng ka ndeshjen me Laçin dhe Partizanin ku të dyja sfidat janë mbyllur në barazim 1-1.
“Kur gjërat nuk shkojnë mirë, gjithnjë mendon se mund të kishe bërë ndryshe, diçka më mirë. Peng ndoshta kam atë ndeshje me Laçin dhe Partizanin. Duhej të bënim më shumë, në disa ndeshje kemi bërë mirë, por nuk kemi marrën rezultatin. Por, këtë fazë janë tre ndeshjet, dy me Tiranën një në kupë dhe kampionat dhe ndeshja në Shkodër ku duhet të ishim sjellë shumë ndryshe”, theksoi Shkëmbi.
“Përballja me Kastriotin? “E shikoj një ndeshje të vështirë, të gjitha skuadrat nuk kanë disnivel. Nuk ka një skuadër që dominon për 90 minuta. Kastrioti armën kryesore ka luftën dhe këtë e dimë. Është një ndeshje që duhet të bëjmë mbi maksimumin dhe këto tre pikë do të na jepnin qetësi për vazhdimësinë. Duke marrë shkas nga ndeshja e fundit, rastet e pastra duhet t’i shënojmë dhe të jemi më të përqëndruar në fazën mbrojtëse. Kundërshtarët na rrezikojnë ose shënojnë që në momentin e parë, por përmirësimi vjen ndeshje pas ndeshje dhe jo me buton”, nënvizoi tekniku i bluve.
“Gjendja e skuadrës, kush mungon? Nuk janë në dispozicion po ata futbollistë që nuk ishin as me Egnatian. Sidibe, Bardhi, Haxhiu do të vazhdojnë të na mungojnë, por mungesat nuk janë justifikim”, përfundoi 42-vjeçari. /f.a/abcnews.al